Masakra e Cërrikut, dështon gjyqi
Armand Bajrami
Zvarritja e gjykimit ndaj të akuzuarve si autorë të "masakrës së Cërrikut" tek Krimet e Rënda u bë shkak dje për një "kërkesë llogarie" nga ana e Prokurorisë në adresë të gjykatës. Duke konsideruar shkaktarë të "zvarritjes" mungesat e herëpashershme të avokatëve të të pandehurve, prokurorët e çështjes kërkuan informacion në lidhje me "vërejtjet" e Gjykatës për avokatët dërguar Ministrisë së Drejtësisë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Bëhet fjalë për shkresa zyrtare të Gjykatës të dërguara në këto dy institucione me kërkesë të prokurorisë, kur moskorrektesat e avokatëve janë bërë shkas për dështimin e seancave gjyqësore. Gjykata pranoi kërkesën dhe në seancat e ardhshme do të vendosë në dispozicion informacionin e kërkuar. Seanca e djeshme nuk u zhvillua, pasi gjykata pranoi kërkesën e një avokati të përfshirë së fundmi në proces, për kohë për t'u njohur me dosjen. Shtyrja e seancës çoi në tre numrin e seancave të shtyra radhazi.
KERKESA
Vetëm pak minuta para se të mbyllej seanca një nga prokurorët e çështjes iu drejtua dje gjykatës me një kërkesë. "Kërkojmë informacion mbi të gjitha njoftimet e dërguara nga Gjykata e Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe Ministrisë së Drejtësisë për seancat e shtyra për shkak të moskorrektesave të avokatëve. Gjithashtu kërkojmë informacion mbi reagimet e ardhura në përgjigje të këtyre njoftimeve", u shpreh dje një nga prokurorët e çështjes. Prokurori pohoi se për të tretën herë radhazi, avokatët bëheshin shkaktarë të shtyrjes së seancës në një kohë që në të tria këto raste dëshmitarët e thirrur ishin prezentë në ambientet e gjykatës. Kërkesa u pranua nga gjykata, ndërsa ndeshi në reagime të avokatëve prezentë në seancë. Sipas mbrojtësve, mungesat e tyre justifikoheshin me angazhime të tyre në seanca të tjera gjyqësore.
SHTYRJA
Dita e djeshme shënonte të 67-tën seancë në radhën e seancave të gjykimit të dosjes së "masakrës së Cërrikut" tek Krimet e Rënda. Shtyrja e seancës nuk lejoi pyetjen e disa dëshmitarëve të paraqitur në gjykatë. Mësohet se dëshmitarët ishin ish-gardistë të cilët kanë qenë pjesëmarrës në ngjarjen e rëndë. Të pandehurit e këtij procesi janë Llazar Bicja, Meti Bozi, Arjan Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi.