“Kori i fjalëve”, koncerti që “çel” ditët Pranvera Frankofone
Izaura Ndoj
Pranvera e Frankofonisë, nis me një larmishmëri aktivitetesh, duke sjellë një atmosferë festive në ditët e kulturës frankofone. Pranvera e Frankofonisë gjatë këtyre ditëve për artdashësit ka organizuar aktivitete kulturore jo vetëm në metropolin shqiptar, por edhe në katër qytete të tjera të vendit. Këtë vit ditët e kulturës frankofone në vendin tonë do të pasojnë me aktivitete kulturore të ndryshme dhe në qytete të ndryshme, ku për shumë ditë me radhë të gjithë mund të gëzojnë 20 ditët e frankofonisë në Shqipëri. “Pranvera Frankofone” do të nis me 20 mars me shfaqjen koncert “Korri i fjalëve”, i cili do të jepet në Cirkun e Tiranës. Ambasada Franceze në Tiranë, në bashkëpunim me Aleancën Franceze dhe ambasadat rumune, egjiptiane, greke, maqedonase si dhe institucionet kulturore në vend, do të sjellë aktivitete të shumta kulturore që nisin në datat 19 mars-7 prill 2010. Data 20 mars wshtw shpallur si Dita Ndërkombëtare e Frankofonisë, e ndërtuar në bazë të diversitetit kulturor, që është simboli të cilin ajo e mbron si një të drejtë fondamentale. Frankofonia ka luajtur një rol të rëndësishëm për UNESCO-n për të adaptuar Konventën mbi mbrojtjen dhe diversitetin e shprehjes kulturore, pasi shtetet që janë pjesë e kësaj konvente të bëhen partnerë të këtij organizimi. Është vokacioni i thellë i frankofonisë, që nëpërmjet gjuhës frënge në 20 mars të takohen të gjithë kontinentet dhe kulturat. “Frankofonia u ka rezistuar sprovave të kohës dhe ka ditur të rigjenerohet e reformohet duke ruajtur identitetin e saj jo vetëm falë angazhimit militant të gjithë atyre që i kanë shërbyer dhe e kanë përkrahur me besnikëri përgjatë këtyre dyzet vjetëve, por edhe falë gjuhës dhe vlerave të cilat na bashkojnë”. Me këto fjalë, sekretari i Përgjithshëm i Frankofonisë, Abdou Diouf, tregon për misionin e frankofonisë në të gjithë shtetet ku ajo përcjell kulturën dhe vlerat e gjuhës frënge. Ky aktivitet do të nisë më 20 mars me shfaqjen koncert “Korri i fjalëve”, duke pasur më tej me konferencën “Muzika dhe komunikimi”, drejtuar nga prof. ªerban Dimitrie Soreanu, i universitetit të Muzikës, Bukuresht në Akademinë e Arteve, Tiranë. “Pranvera Frankofone” do të sjellë për të gjithë frankofonët “Mbrëmje poetike franceze (në shqip), bisedë me Edmond Tupen rreth 10 fjalëve të Frankofonisë, konkurs i 10 fjalëve të Frankofonisë në Korçë. Interesant mendohet të jetë më 25 mars një homazh për shkrimtarin Albert Kamy – “Një Arsye për të jetuar dhe një arsye për të vdekur”, e cila do të mbahet në Aleancën Franceze, si dhe takimi për “Georges Brassens, njeriu, këngëtari, poeti” mbajtur nga departamenti i gjuhëve franceze, universiteti “L. Gurakuqi”, Shkodër si dhe një prezantim nga poeti Skënder Sherifi i vëllimit të tij në dy gjuhë, “I dashuruari i përjetshëm i dy gjuhëve dhe kulturave”. Shkrimtarja zvicerane me origjinë shqiptare, Besa Myftiu (pedagoge në Universitetin e Gjenevës) do të prezantojë librin “Rrëfime nga vendet e harruara”, shoqëruar prej këngëtares së muzikës xhaz Elina Duni dhe pianistit Gentian Rushi. Në programin e “Pranverës Frankofone” vihen re edhe projeksionet e filmave si: “Gjeli kokëprerë”, realizuar nga regjisori rumun Radu Gabrea , “Lufta mbaroi”, realizuar nga maqedonasi Mitko Pano, “Ujë dhe zjarr”, realizuar nga Kiro Urdin, “Misteret e Egjiptit” me Omar Shariff, realizuar nga Bruce Neibaur. Teatri, si një nga shtyllat e rëndësishme të këtij aktiviteti do të ketë pikëtakimet e tij me publikun me shfaqjet “Ishulli i të gjitha rreziqeve” nga Ann Rocard, interpretuar nga nxënësit e Liceut të gjuhëve të huaja Asim Vokshi në Tiranë, si dhe teatri në shqip “Sonte jam vetëm” nga André-Paul Antoine vënë në skenë nga Enver Petrovci, me aktorët Ilir Tafa dhe Niada Saliasi, një shfaqje që do të interpretohet në sallën “Çehov” të Teatrit të Metropolit në Tiranë. Priten koncerte recitale nga Pascal Gallet dhe koncert i Trios Alexis Rault- Alex Beaupain - Pierre Souchon . Organizuar nga ministria e Punëve të Jashtme Franceze dhe Shqiptare, “Pranvera Frankofone” do të ketë një lëvizje në shumë qytete të vendit si Tiranë, Korçë, Përmet, Shkodër, Elbasan, duke ruajtur një gjithëpërfshirje të aktiviteteve si koncerte, takime poetike, homazh për shkrimtarët francezë, teatër dhe performancë artistike.
Eurimages mbështet filmin “Përtej Amnestisë”, me regji të Bujar Alimanit
Sipas Qendrës Kombëtare Kinematografike bordi i projekteve të Eurimages ka miratuar, në mbledhjen plenare të 17 marsit, mbështetjen financiare të filmit “Përtej Amnestisë”, me regji të Bujar Alimanit, një bashkëprodhim shiptaro-greko-francez. Financimi i Eurimages është me 120.000 euro, i barabartë me rreth 15% të buxhetit të filmit. Projekti filmik u paraqit dhe u mbrojt para Bordit të Bashkëprodhimeve të Eurimages nga dy përfaqësuesit zyrtarë të Shqipërisë pranë Eurimages, kryetari i QKK-së Artan Minarolli dhe Roland Sejko, krahas producentëve grekë dhe francezë. Filmi i Alimanit, një histori dashurie të pamundur në Shqipërinë e tranzicionit, është i pari projekt filmik i paraqitur nga Shqipëria në bordin e Eurimages, vetëm tetë muaj pas pranimit të Shqipërisë në këtë organizëm ndërkombëtar të Këshillit të Europës, i cili nxit dhe mbështet bashkëprodhimet filmike. Mbledhja e bordit të projekteve të Eurimages u mbajt në Stamboll nga 13 deri më 17 mars. Bordi shqyrtoi 34 kërkesa filmike bashkëprodhimi nga të cilët u miratuan 14. Kineastët shqiptarë mund të paraqesin projektet e tyre të bashkëprodhimit në mbledhjet e radhës të Eurimages që do të mbahet në Hamburg qershorin e ardhshëm. Dy javë më parë, nga data 3-5 mars, me ftesë të QKK-së, ishte i pranishëm në Tiranë Drejtori Ekzekutiv i Eurimages Roberto Olla, i cili mbajti një seminar, si dhe zhvilloi takime personale me kineastët dhe producentët shqiptarë mbi pjesëmarrjen e tyre në Eurimages.
18 Mars 2010