Braçe: Berisha, 180 milionë USD nga buxheti për fushatë
Aristir Lumezi
Partia Socialiste akuzon kryeministrin Berisha se ka shpërdoruar fondet publike për fushatën elektorale. Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, gjatë një konference për shtyp tha se shuma e përdorur për qëllime aktuale nga ana e qeverisë arrin në 180.5 milionë dollarë në total. “Kryeministri i pakonfirmuar nga votuesit shqiptarë, Sali Berisha, gënjeu dje me insistim për të fshehur boshatisjen e madhe të buxhetit të shtetit në vetëm 6 muaj, duke vënë në dritë të diellit shenjat dalluese për një rrezik të madh! Boshatisja e buxhetit është kontributi i tij personal në krye të një qeverie hajdutësh e zyrtarësh të korruptuar, që krizës ekonomike botërore – prej muajsh në Shqipëri, i bashkëngjiti si vlerë të shtuar babëzinë qeveritare mbi paratë e buxhetit”, tha Braçe. Duke sjellë shifra, Braçe tha dje se kryeministri Berisha ka harxhuar paratë e përfituara në buxhet nga privatizimi i pronës shtetërore, duke krijuar dificit të madh në buxhet. “Për të financuar këtë deficit, të shkaktuar nga nevoja elektorale e tij, Sali Berisha ka harxhuar thuajse të gjitha paratë e arkëtuara nga shitja e pronës shtetërore, pra 225.8 milionë dollarë, ose 210% të planit, ose 118 milionë dollarë më shumë se planifikimi për të mbuluar deficitin e brendshëm. Ka tejkaluar në 158.2 milionë dollarë, ose 700%, ose me 135.6 milionë dollarë financimin e deficitit të huaj. Ka tejkaluar në 189 milionë dollarë ose 304%, ose me 126.7 milionë dollarë planin e borxhit afatgjatë të qeverisë! Kjo është gjendja e arkës sot dhe Sali Berisha ka përgjegjësinë t’ua tregojë shqiptarëve. Arka është bosh!”, tha Braçe. Sipas tij, në 6 muaj, për qëllime elektorale, të blerjes së varfërisë, për shkak të saj, të blerjes së votës, të deformimit të vullnetit të zgjedhësve, të përfshirjes në buxhetin e fryrë të shpenzimeve partiake elektorale të parave të krimit ekonomik, kontrabandës së korrupsionit, me urdhër, i hoqi buxhetit të shtetit miliona dollarë. “92.5 milionë dollarë të ardhura nga TVSH dhe akciza, duke ia shtuar buxhetit të krimit, kontrabandës e korrupsionit, që financuan partinë e tij; 31.7 milionë dollarë si shpenzime të tepërta për personelin, paga e sigurime shoqërore, për 15.090 militantë politikë, që u mbajtën me paratë e taksave tona; 6.3 milionë dollarë si shpenzime të tepërta për ndihmë ekonomike – kur kryeministri mburret që këtu vetëm varfëri nuk ka - me të cilat u mbajtën 25.000 militantë politikë, po përsëri me paratë e taksave tona; 50 milionë dollarë, si shpenzime të tepërta për të financuar vetëm hapjen e qindra kantiereve, në një skemë mashtruese elektorale që duhet të krijonte idenë e punës kudo, kur punë nuk ka e kantieret janë bllokuar sapo votimi mbaroi”, tha Braçe.