E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto: Prioritetet e LSI, në programin qeverisës

 

Lëvizja Socialiste për Integrim paraqiti dje objektivat e saj, të cilat së shpejti pret t’i shtrojë në tryezën e negociatave për formimin e qeverisë së re. Kjo parti rithekson ndër prioritetet punësimin, luftën kundër varfërisë, shërbimet publike në shëndetësi dhe arsimin. Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, Edmond Haxhinasto, deklaroi se vendimi i LSI-së për të marrë pjesë në bashkëqeverisje me Partinë Demokratike do të konkretizohet së shpejti në hartimin e një programi të përbashkët qeverisës, të cilat janë në funksion të integrimit evropian, forcimit të shtetit të së drejtës dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. Duke u ndalur te disa nga prioritetet e LSI-së, Haxhinasto theksoi se, “prioritetet tona zhvillimore si punësimi, rritja e prodhimit vendas dhe veçanërisht zhvillimi i sektorit të bujqësisë dhe atij të turizmit, përmirësimi cilësor i shërbimeve publike të shëndetësisë dhe arsimit, reformat institucionale dhe veçanërisht reforma zgjedhore do të jenë elementë të rëndësishëm, që ne do t’i paraqesim në tryezën e negociatave”. Ai shtoi më tej se, “ne jemi të bindur se integrimi i prioriteteve tona qeverisëse dhe atyre të PD-së do të garantojnë një qeverisje të qëndrueshme dhe sukses në realizimin e objektivave kryesore të qeverisjes së ardhshme, stabilitetit të vendit dhe plotësimit të standardeve për integrimin në BE”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›