Deputetët e maxhorancës në Kuvend: “Anëtarësimi në NATO, meritë e reformave”
Deputetët e Partisë Demokratike janë përqendruar gjatë fjalimeve të djeshme në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Zëdhënësi i Grupit Parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, është shprehur se anëtarësimi i vendit në NATO nuk ka ardhur si pasojë e gjeostrategjisë së amerikanëve, por si meritë e reformave të ndërmarra nga qeveria. “NATO nuk është një dhuratë. Ne jemi në NATO sot se ndryshe nga vitet e mëparshme e kemi merituar këtë proces”, - është shprehur Bumçi. Edhe deputeti Arian Starova theksoi se anëtarësimi në NATO është një përgjegjësi më shumë për ta bërë Shqipërinë jo thjesht vend anëtar, por edhe një vend dinjitoz në arenën ndërkombëtare. Kryetari i BLD-së hodhi poshtë zërat se anëtarësimi i Shqipërisë në organizatën më të madhe ushtrarake u bë "për arsye gjeopolitike". “Gjeopolitikisht Shqipëria është futur në NATO që më 22 mars 1992, kur forcat demokratike fituan zgjedhjet në vend. Që në atë kohë, Shqipëria ka punuar për të plotësuar standardet dhe për të merituar hyrjen në Aleancë. Të nënvlerësosh meritat e anëtarësimit, siç bëjnë disa analistë, është njësoj si të përçmosh punën e gjithë atyre shqiptarëve dhe të huajve që punuan dhe dhanë mbështetjen e tyre në këtë proces. Shqipëria e ka merituar anëtarësimin si një vend që në shekuj ka qenë paqësor”, - është shprehur Starova.e
3 Prill 2009