E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Anëtarësimin në NATO ta kthejmë në mundësi mirëqenieje për shqiptarët”



Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka përshëndetur anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e madhe të Atlantikut Verior, duke bërë thirrje që ky mesazh lirie të mos përdoret si kapital politik, por të kthehet në mundësi mirëqenieje për shqiptarët. Meta tha se anëtarësimi i Shqipërisë është në radhë të parë meritë e të gjithë popullit shqiptar. “Anëtarësimi në NATO është një meritë, në radhë të parë e popullit shqiptar, që është dhe ka qenë populli më pro-NATO. Këtë ia kam thënë edhe ambasadorit të SHBA-ve, z. Uidhers, në një bisedë telefonike, ku kemi shkëmbyer urimet për këtë ngjarje të shënuar”, - tha kreu i LSI-së. Këtë deklaratë Meta e ka bërë pas disa vizitave që ai zhvilloi në disa ndërmarrje të biznesit fason në Tiranë, ku u njoh nga afër me shqetësimet dhe problemet me të cilat përballen këto ndërmarrje, që punësojnë mijëra shqiptarë dhe shqiptare. Pas vizitës në këto dy ndërmarrje, kreu i LSI-së dha një prononcim për mediat, ku shprehu kënaqësinë që kemi një Shqipëri që punon, ndryshe nga ajo Shqipëri që është pa punë. Ndaj Meta i bëri thirrje qeverisë që t’i mbështesë më shumë këto biznese, në mënyrë që jo vetëm të ruhen vendet aktuale të punës, por edhe të hapen vende të reja pune. “Është një kënaqësi që të shikosh që këtu kemi një Shqipëri që punon, sepse kemi dhe një Shqipëri tjetër, që është pa punë, për fat të keq. Dhe kjo Shqipëri që punon duhet të kthehet në një frymëzim për të gjithë ne, në mënyrë që e gjithë Shqipëria të punojë, në mënyrë që jo vetëm të mbrohen vendet aktuale të punës, të cilat cenohen për efekte edhe të krizës globale, por edhe të problemeve të brendshme të klimës me biznesin. Ne kemi deklaruar mbështetjen që duhet për këto lloj biznesesh, të cilat kanë apeluar dhe ndaj qeverisë, shtetit dhe ndaj Parlamentit që të merren masa favorizuese, në mënyrë që të mos hiqet askush nga puna, por të shtohen vendet e punës, në mënyrë këto lloj aktivitetesh të zgjerohen, sepse janë shumë të rëndësishme përsa i takon punësimit, e sidomos punësimit për gratë dhe vajzat e reja”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.

3 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›