Rama: “Anëtarësimi në NATO, meritë e të gjithë shqiptarëve”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e ka cilësuar historike ditën në të cilën Shqipëria u bë zyrtarisht anëtare me të drejta të plota e strukturës euroatlantike të NATO-s. Rama tha se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është realizimi i ëndrrës së atit të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit, i cili thoshte se në themel të shtetit të ri shqiptar në 1912-n do të ishin “nomet e Perëndimit”. Kreu i PS-së tha se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është meritë e të gjithë shqiptarëve. “Kjo është dita e shënuar kur Shqipëria dhe çdo shqiptar ndihet krenar që i bashkohet kësaj aleance, në radhë të parë vlerash, vlerave të pluralizmit, lirisë, demokracisë dhe tolerancës. Është dita kur ne duhet ta kuptojmë se këto vlera që kemi përqafuar, liria dhe dinjiteti i njeriut, janë tepër të çmuara dhe janë në bazën e kësaj aleance, së cilës i përkasim sot edhe zyrtarisht. Për t’i siguruar ato, na është dashur të paguajmë një çmim shpesh shumë të lartë. Është dita për të rishprehur përunjësisht respektin më të thellë për të gjithë ata e ato që dhanë jetën në luftën heroike të popullit shqiptar përkrah aleatëve të mëdhenj kundër nazizmit e fashizmit, por edhe për të gjithë ata e ato që u vranë, u burgosën, u syrgjynosën në një Shqipëri që për gjysmë shekulli mohoi vlerat e lirisë, demokracisë, pluralizmit, tolerancës. Është dita për të celebruar shpirtin e lirisë dhe pasionin demokratik të shqiptarëve, që janë realizuesit e kësaj ëndrre të madhe dhe për t’u thënë të gjithëve, socialistëve e demokratëve, apo atyre pa parti, pa dallim moshe, krahine, gjinie, feje e ideje, se Shqipëria hyri në NATO falë tyre, jo falë politikanëve të saj që e vonuan 18 vjet, më shumë se një herë, këtë ditë të madhe.
Dita e sotme nuk do të ishte bërë realitet pa mbështetjen e tërë aleatëve tanë perëndimorë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera anëtare. Prandaj, më lejoni që në emrin tuaj t’u shpreh falënderimet më të sinqerta miqve e partnerëve, për qeveritë e shteteve anëtare, parlamenteve e tyre dhe popujve të tyre, vendeve që na hapën me shumë besim derën e shtëpisë, prej së cilës historia, shpesh herë aspak bujare me ne, por edhe gabimet e shpeshta të këtyre 18 viteve, na kishin lënë jashtë”, - tha kreu i PS-së, Edi Rama.
3 Prill 2009