E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët e opozitës në Kosovë kritikojnë Thaçin



Deputetët e Kuvendit të Kosovës gjatë seancës së djeshme plenare i kanë kërkuar kryetarit Jakup Krasniqi që t’i bëjë presion Qeverisë së Kosovës, që në seancat plenare të jenë të pranishëm ministrat dhe shefi i ekzekutivit hashim Thaçi. Deputetja e AAK-së, Gjylnaze Syla, ka thënë se kryeministri është duke injoruar organin i cili ia ka dhënë mandatin. Mungesa e shumicës së kabinetit qeveritar ka bërë që 50 minutat e rezervuara për pyetje të ligjvënësve kosovarë të përfundojnë për më pak se 20 minuta. Në seancën e djeshme u shqyrtuan disa projektligje dhe raporti për punën e Komisionit për Ndihmë Juridike dhe raporti i Komisionit të Pavarur për Media. Ndër të tjera, për herë të dytë u shqyrtua edhe ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për tregtinë me naftë dhe derivate të naftës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Lizingun Financiar, si dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për themelimin e Departamentit për Mjekësi Ligjore.

26 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›