SHBA-të tërheqin ftesat për diplomatët iranianë
Administrata e presidentit Barak Obama tërhoqi ftesat e diplomatëve iranianë për të marrë pjesë në festimet e Ditës së Pavarësisë në ambasadat amerikane. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Robert Gibs tha se ftesat për festimet e 4 korrikut u tërhoqën për shkak të reagimit të dhunshëm të Iranit ndaj protestave pas zgjedhjeve presidenciale. Para dy ditësh, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton udhëzoi diplomatët amerikanë dhe punonjësit e Departamentit të Shtetit jashtë vendit që të tërheqin ftesat e mëparshme dorëzuar diplomatëve iranianë.
Zonja Klinton tha se “për fat të keq, rrethanat kanë ndryshuar dhe pjesmarrja e diplomatëve iranianë nuk do të ishte me vend” po të kihen parasysh “veprimet e padrejta” në Iran. Sekretarja e Shtetit tha se ajo dhe presidenti Barak Obama i kanë dënuar këto veprime.
26 Qershor 2009