Vidhte sahate per te nxjerre parate e bukes
Arrestimi
Një hajdut 20-vjeçar ka rënë në prangat e policisë kryeqytetase, sapo kishte vjedhur disa sahate uji dhe dritash. Ngjarja ka ndodhur te rruga “Naim Frashëri”, ndërkohë që i riu është zbuluar nga patrullat e Komisariatit Nr. 2. Burimet policore thanë se shërbimet e këtij komisariati e kapën Seit Hajdarin rreth orës 04:00 të mëngjesit të djeshëm. Ai ka qenë duke dalë nga një pallat, kur është pikasur nga makina e policisë. Kur e kanë shoqëruar, atij i kanë gjetur dy sahate të fshehur në trup. Gjatë pyetjeve, ai ka deklaruar se do i shiste për të ngrënë bukë.