Deputetët e opozitës ukrainase hedhin granata në kuvend dhe qëllojnë me vezë Gjatë përleshjeve në Parlamentin e Ukrainës

Parlamenti ukrainas u përfshi nga kaosi pasi votoi për ratifikimin e marrëveshjes që i zgjat Rusisë kontratën për bazën e marinës në Detin e Zi. Shkak i kësaj dhune të rrallë në Parlamentin e Kievit, u bë miratimi i një marrëveshjeje që lejon flotën ruse të qëndrojë në portet e Ukrainës, deri në vitin 2042. Vendimi u miratua nga koalicioni fitues i Presidentit Viktor Janukoviç duke ngjallur zemërimin e shfrenuar të opozitës. Deputetët e kësaj të fundit lëshuan granata në kuvend dhe qëlluan Kryetarin e Parlamentit Volodomir Litvjun me vezë. Alarmet e zjarrit filluan të bien pasi ligjvënësit e opozitës hodhën bomba tymi dhe vezë kundër kryeparlamentarit, i cili u detyrua të fshihej pas çadrave. Truprojat e këtij të fundit u detyruan të përdorin çadrat për të mbrojtur kryetarin. Tymi mbuloi sallën ndërsa opozita shpalosi flamurin duke akuzuar mazhorancën për tradhëti, ndonëse qeveria e bëri këtë në këmbim të uljes me 30 për qind të çmimit të gazit, një ndihmë e madhe kjo për ekonominë ukrainase. Disa mijëra vetë protestuan jashtë parlamentit ndaj marrëveshjes që lejon Rusinë të ruajë kontrollin e bazës në qytetin port ukrainas të Sevastopolit. Ata protestuan kundër marrëveshjes që presidenti Viktor Janukoviç arriti me homologun e tij rus, Dimitri Medvedev, javën e kaluar. Baza e marinës dhe marrëveshjet e gazit u njoftuan javën e kaluar pasi presidenti ukrainas Viktor Janukoviç u takua me presidentin rus Dimitri Medvedev në qytetin lindor të Ukrainës, Kharkiv. Presidenti Janukoviç tha se marrëveshja do të ndihmojë në shkurtimin e deficitit buxhetor të vendit. Kryeministri rus Vladimir Putin tha se megjithëse marrëveshja do të ishte e kushtueshme, synimi kryesor ishte rivendosja e besimit të ndërsjellët me Ukrainën. Pavarësisht nga skenat kaotike, marrëveshja u miratua me 236 vota pro në parlamentin ukrainas prej 450 vendesh. Dhoma e ulët e parlamentit e ratifikoi marrëveshjen ditën e djeshme. Marrëveshja e zgjat kontratën e Rusisë deri në vitin 2042. Rusia nga ana e saj do ta ulë çmimin e gazit natyror për importet ukrainase me 30 për qind për dhjetë vitet e ardhshme. Nacionalistët e udhëhequr nga ish-kryeministrja, Julia Timoshenko e cilësojnë marrëveshjen si një tradhti të interesave kombëtare të Ukrainës, dhe duan heqjen e bazës ruse në Krime në vitin 2017.