E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shtëpia me rrota”, sonte premierë në “Skampa”

ELBASAN- Korale antike. Aromë Rusie e viteve. Mallkime, sirena alarmi, kukuvajka që paralajmërojnë fatkeqësi, zhurma trenash dhe sirena vaporësh që shkojnë dhe vijnë. Prej dy muajsh këto janë efektet që dëgjohen në skenën e Teatrit "Skampa" të Elbasanit, ku trupa e aktorëve profesionistë është në përgatitjet e fundit të veprës "Shtëpia me rrota", me autor-regjisor Erand Sojlin. Kjo dramë do të ketë premierën e saj në datën 28 prill 2010, në interpretimin e aktorëve: Veronika Papa, Antoneta Doka, Dhimitër Topuzi, Rina Narazani, Xhemal Sojli, Hilmi Belshaku, Rezart Veleshnja, Roland Saro. Lojë në presion dhe atmosfere çehovjane. Njerëz që vegjetojnë dhe fshihen pas gishtit. Personazhe që mendojnë ndryshe dhe veprojnë krejt ndryshe. Një batutë shumë e çuditshme e çon diku larg spektatorin. …"Dje isha në Moskë"… Kjo është dhe si pikë referimi në një kthim në të shkuarën… Një familje e persekutuar, e cila më parë ka qenë pjesë e elitës. Ka kontribuar fuqishëm në vendosjen e sistemit të barazisë, i cili rezultoi të ishte utopi. Kjo familje nuk është një familje si gjithë të tjerat. Ajo ka në themel të saj zhgënjimin, frikën dhe ndarjen e thellë. Personazhet kanë vetëm një drejtim. Të shpëtojnë, ose më keq akoma, mos t'u shtohet dënimi në këtë internim. Ata vijnë nga një jetë bllokmenësh dhe janë katandisur në një barakë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›