E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët grevistë: “Nuk largohemi nga salla e Kuvendit, pa garantuar mbrojtjen e votës”



Shaban Sulçe

Dhjetë deputetët që kanë hyrë në ditën e katërt të grevës së tyre të urisë kanë nënshkruar dje një deklaratë të përbashkët, në të cilën theksohet se nuk do të tërhiqen nga greva e tyre e urisë. Në kundërpërgjigje të vendimit të Konferencës së Kryetarëve, deputetët grevistë kanë theksuar në deklaratë se nuk do të pranojnë largimin e tyre nga salla e Kuvendit dhe spostimit të grevës në një vend tjetër.

Deklarata

Deklarata e lexuar nga Dritan Prifti kishte firmën e të dhjetë deputetëve grevistë, të cilët kërkojnë në një zë të njëjtat kërkesa. Në deklaratë shkruhej se: “Kemi filluar një grevë në mbrojtje të votës së lirë që përsëri po dhunohet nga të njëjtit njerëz dhë të njëjtat parti që kanë dhunuar sistematikisht zgjedhjet në Shqipëri në këto 17 vite tranzicion”. Deputetët grevistë kanë deklaruar se do të çojnë në fund misionin e tyre dhe luftën për votën e lirë, e cila është lufta më e rëndësishme për të çuar Shqipërinë drejt integrimin evropian. “U kujtojmë edhe një herë grabitësve se dokumenti i Kopenhagenit dhe OSBE-së obligon çdo vend dhe qeveri t’i garantojë çdo personi ose grupi mundësinë të garojë në kushte të barabarta përpara ligjit dhe autoriteteve. Në denoncojmë përgjegjësinë historike të PD-së dhe PS-së, të cilat në mënyrë të rrufeshme ndryshuan Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, bënë në fshehtësi një kod zgjedhor pa standarte evropiane, që të garantojë zgjedhje të lira. Konsensusi i PD-së dhe PS-së nuk bazohet në interesat e Shqipërisë evropiane, por mbi ato të kartelave të krimit, që ashtu si në Gërdec bënë vrasjen e rradhës edhe në Gjirokaster”, vijon deklarata. Deputetët grevistë shprehën vendosmërinë për të mbrojtur me çdo çmim llogoren e fundit të demokracisë në Shqipëri, zgjedhjt e lira pa të cilat nuk ka demokraci dhe Shqipëri evropiane. “Nuk do dalim nga salla e Kuvendit në mënyrë që nga kjo sallë mos të kalojë asnjë ligj zgjedhor për interes të dy partive, por vetem një ligj që ka gjithëpërfshirje dhe zgjedhje të ndershme. Çdo veprim ndaj mbështetësve të grevës do të jetë përgjegjësi e pushtetit konsensual të Sali Berishës dhe Edi Ramës”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga 10 deputetët e grevës së urisë.

Protestat
Protesta është kthyer në një miting solidarizimi qytetar me mbështetës dhe përkrahës të deputetëve në grevë urie. Mijëra qytetarë, përfaqësues të sindikatave të pensionistëve, të të përndjekurve politikë, të minatorëve, u bënë thirrje shqiptarëve për t’u solidarizuar dhe për të shpëtuar votën e lirë. Një podium (foltore) i vendosur para Parlamentit u kthye në një tribunë për të gjithë folësit që morën fjalën, si: nënkryetari i LRI-së, Ardit Çela; nënkryetarja e LSI-së, Filloreta Kodra; sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili; Kurt Kola, një prej drejtuesve të ish-të përndjekurve politikë, i cili u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të ngrihen e të mbrojnë votën e lirë, pa dallime politike; përfaqësuesi i Sindikatës së Pensionistëve, Isa Gorica; sekretari Koordinativ i PS ’91, Gëzim Podgorica; sekretari i Përgjithshëm i LRI-së, Besjan Pesha; Gaqo Apostoli etj. Protestat kanë filluar që nga momenti i futjes në grevë të deputetëve dhe kanë vijuar përgjatë gjithë natës, pasi protestuesit janë vendosur në çadra.

13 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›