E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në dhjetor kompensohen 120 pronarë

Janë plot 8 miliardë euro pasuri informale në duart e shqiptarëve që presin me shpresën e legalizimit. Këto miliarda janë vlerësuar se përbëjnë plot 60 për qind të pasurive të paluajtshme, ose ndërtimeve të kryera gjatë këtyre viteve në të gjithë vendin. Të paktën këto janë llogaritë që bëhen publike nga drejtuesit e Agjencisë së Legalizimeve, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale. Në një takim të zhvilluar dje për këtë çështje, drejtori i ALUIZNI-t, Shaban Memia, ka garantuar se brenda muajit dhjetor do të fillojë dhënia e kompensimit për 120 pronarët e parë të ligjshëm dhe çdo javë do të vazhdojnë të shkojnë në qeveri dosjet për kompensim. Ndërkohë që procesi i legalizimit, si dhe ai i kompensimit të pronarëve, do të zhvillohen paralelisht sipas kreut të ALUIZNI-t, Memia.

120 pronarët e parë të përfshirë në procesin e kompensimit është saktësuar se do të paguhen me çmimin e truallit për 12 ha. Memia ka informuar gjithashtu se janë përgatitur edhe dokumentet për shlyerjen e detyrimeve financiare për 157 ndërtime me leje, por me shtesa informale.

Sipas Memisë, në ligjin e ri është theksuar se kalimi i pronësisë dhe kompensimi i pronarëve do të bëhet në të njëjtën kohë.

"Me të dalë vendimi i ri ne do të lidhim kontratat me qytetarët dhe do të nisim shlyerjen e tyre", u shpreh dje, shefi i Agjencisë së Legalizimeve, Shaban Memia. Ai shtoi se projektvendimi ka të bëjë me kalimin e pronësisë për 6 mijë pasuri. Ndërkohë që qytetarët që do të përfitojnë nga legalizimi dhe prona e tyre, që do të njihet ligjërisht më parë, duhet të bëjnë shlyerjen financiare. "Nga ky burim financiar do të garantohet edhe buxheti për të shlyer pronarët", sqaroi dje kreu i ALUIZNI-t, Shaban Memia.

Në vendin tonë rezultojnë 350 mijë objekte të paligjshme që shtrihen në një sipërfaqe prej 320 mijë hektarësh.

Sipas ALUIZNI-t, me ligjin e vjetër janë miratuar 127 zona informale dhe është përgatitur dokumentacioni teknik për legalizimin e 80 mijë pasurive të paluajtshme.

Për 50 mijë ndërtime me shtesa të paligjshme janë grumbulluar deri më tani 67 milionë lekë.

Drejtuesit e Agjencisë së Legalizimeve kanë pohuar gjithashtu se deri tani janë tërhequr nga qeverisjet vendore rreth 60 për qind e dosjeve të atyre objekteve që janë në listën e legalizimit dhe që do të jenë ndër të parat që do të përfitojnë nga ky proces. Prej këtyre dosjeve, specialistët e kësaj agjencie, në bashkëpunim edhe me strukturat e pushtetit vendor në të 12 qarqet e vendit, kanë përpunuar 50 mijë prej tyre.

Në takimin e zhvilluar dje u fol edhe për procedurat e pajisjes me leje legalizimi, proces ky që i paraprin marrjes së certifikatës së pronësisë nga zyrat e hipotekave. Qëllimi, për ecjen sa më shpejt të këtij procesi, sikundër kanë pohuar edhe vetë drejtuesit e kësaj agjencie, është që legalizimi i këtyre pasurive jashtë skemës të mbyllet brenda qershorit 2009. Pra, përpara datës së zgjedhjeve elektorale të radhës, që do të përcaktojnë edhe partinë politike, e cila do të jetë në pushtet deri më 2013-ën.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›