E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, rrezikon shembjen palestra e një shkolle

Palestra e shkollës "22 Tetori" në qytetin e Beratit ka pësuar një krisje serioze në një nga faqet e murit. Ndonëse, ashtu si dhe godina e shkollës, palestra është rikonstruktuar rishtas, një çarje e gjithë gjatësisë së faqes së murit është bërë shkak për moszhvillimin e mësimit aty. Drejtori i shkollës, menjëherë pas shfaqjes së problemit, ka urdhëruar që nxënësit të mos e zhvillojnë mësimin në palestër. Irakli Strori, që me nisjen e vitit të ri shkollor urdhëroi që ora e edukimit fizik të zhvillohet në oborr, kur moti ta lejojë këtë. Drejtori thotë se deri sa të zgjidhet ky problem, as mësuesit e as nxënësit nuk do të lejohen të futen në palestër. Madje, nxënësit ditët e fundit nuk janë lejuar as të afrohen pranë saj. Ndërkohë, burime pranë Bashkisë së Beratit bëjnë me dije se Zyra e Urbanistikës ka kërkuar inspektimin e palestrës nga një grup gjeologësh. Shkolla nëntëvjeçare "22 Tetori", që ndodhet në qendër të qytetit ka 500 nxënës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›