Meta: “Po na përkrahin të gjithë shqiptarët. Jemi të vendosur për grevën deri në fund”
Lideri i LSI-së, Ilir Meta, ka deklaruar se deputetët grevistë janë të vendosur për ta çuar deri në fund misionin e tyre për mbrojtjen e votës së lirë nga “Kodi Korruptiv” që duan të miratojnë kreu i Partisë Socialiste Edi Rama dhe kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha. Në një intervistë telefonike, Meta tha se të 10 deputetët grevistë nuk do të pranojnë të largohen nga salla e Kuvendit, ku ata janë ngujuar prej tri ditësh.
Zoti Meta, kemi arritur të sigurojmë disa pamje të filmuara, nga të cilat vërejmë se po kaloni kushte të vështira. Si paraqitet gjendja? Ku mund të flini gjatë natës?
Pavarësisht nga vështirësitë, të cilat janë bërë herë pas herë të ditura edhe për opinionin publik, pavarësisht edhe shqetësimit të ndonjë kolegu deputet, morali është shumë i lartë i të gjithë deputetëve në grevë. Vendosmëria është e jashtëzakonshme për ta shpëtuar Shqipërinë nga një kastë që kërkon t'u mohojë shqiptarëve edhe të drejtën më themelore, atë të votimit të lirë në zgjedhje.
Çfarë do të bëni nesër nëse do t'ju kërkohet të largoheni? Apo do të vazhdoni të këmbëngulni të qëndroni, edhe në rast se zhvillohet seanca e radhës e Parlamentit?
Nuk ka diskutim. Ne jemi në krye të detyrës, ne jemi në gjendje të jashtëzakonshme që nga momenti që kemi hyrë në grevë, sepse Shqipëria është në një rrezik të jashtëzakonshëm dhe ne si deputetë, detyra na ka kërkuar të jemi në krye të parandalimit të skenarit të dhunshëm për të vjedhur votat e shqiptarëve. Se çfarë dëshiron të provokojë Sali Berisha me Edi Ramën, ne nuk kemi dëshirë që ta komentojmë shumë sot, sepse provokimet e tyre janë të vazhdueshme, që nga dhunimi që i bënë Kushtetutës më 21 prill, duke hedhur poshtë vullnetin e një milion shqiptarëve në vitin '98. Por ne do të mbrojmë legjitimitetin e Republikës Parlamentare. Dhe për këtë të jeni të sigurt, nuk do ta bëjmë vetëm ne që jemi këtu, por këtë po e bëjnë vazhdimisht edhe shumë kolegë të tjerë, që po na përkrahin, do ta bëjnë të gjithë shqiptarët.
Zoti Meta, pak minuta më parë policia ka vendosur të rrisë gatishmërinë...
E di që policia e Berishës dhe Policia Bashkiake e Ramës janë në gatishmëri dhe po bashkëpunojnë për të provokuar, por duhet ta kenë parasysh që të dy, që para popullit shqiptar nuk do të ketë asnjë polici dhe asnjë forcë që synon të provokojë dhe të legjitimojë shkatërrimin e demokracisë dhe të zgjedhjeve të lira në Shqipëri. Kjo gjë ka mbaruar, këtë gjë duhet ta dinë shumë mirë.
Prifti: Deputetët po shfaqin shqetësimet e para shëndetësore
Gjendja shëndetësore
Deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, i cili është caktuar zëdhënës i grevës, ka deklaruar se gjendja shëndetësore e deputetëve në grevë urie ka filluar të përkeqësohet. Megjithatë, ai konfirmoi vendosmërinë e të gjithë deputetëve për të vazhduar grevën, pavarësisht problemeve shëndetësore që kanë filluar të shfaqen. “Pothuajse të gjithë deputetët kanë dhimbje koke dhe probleme me tensionin. Shenjat jetësore kanë nisur të bien. Asnjë nga deputetët nuk shqetësohej për shëndetin e tij dhe ata janë të vendosur që t'i shkojnë deri në fund kësaj iniciative", - tha Prifti. Vendosmëria për të vijuar grevën deri në plotësimin e kërkesave është konfirmuar si nga kryetari i LSI-së Ilir Meta, ashtu dhe kreu i PDK-së, Nard Ndoka, të cilët kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen nga greva e urisë dhe janë të vendosur ta çojnë atë deri në fund, deri në zgjidhjen e kërkesave të tyre.
BOXE
Kryesia e LSI-së u mblodh dje në orën 9:30 dhe vendosi: të vazhdohen protestat në mbështetje të grevës së urisë të deputetëve. Në një prononcim për mediat, nënkryetari i LSI-së, Sokol Axhemi, u shpreh se nuk mund të lejohet që të startohet me zgjedhje të kontestueshme. Ai bëri të ditur se protestat do të vazhdojnë dhe ato do të zhvillohen kudo ku ka institucione demokratike.
Dritan Prifti, deputeti i LSI-së, njëkohësisht zëdhënësi i grevës, është lejuar dje që të hyjë në ambientet e Kuvendit, ku po zhvillohet greva, ku ka kontaktuar me deputetët grevistë. Një gjë e tillë u bë e mundur pas bisedimeve të zhvilluara me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, ndërkohë që dy ditë më parë, Prifti u pengua të hyjë në Kuvend nga forcat e Gardës së Republikës.
Kushtet. Janë përmirësuar disi kushtet për deputetët grevistë. Kështu, ndryshe nga dy ditë më parë, në sallën e Kuvendit është instaluar sistemi ngrohës, është zgjidhur çështja e furnizimit me ujë të pijshëm, ndërkohë që në Kuvend është lejuar të hyjë një autoambulancë, e gatshme për të ofruar ndihmë mjekësore në çdo rast për deputetët grevistë.
Protestat. Duke folur para protestuesve, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, bëri të ditur se protesta në mbrojtje të votës së lirë dhe të deputetëve në grevë urie, si dhe për të mos lejuar shkatërrimin e zgjedhjeve do të zhvillohen nesër në disa nga kryeqytetet e Europës. Sipas Vasilit, protesta do të zhvillohen përpara selisë së OSBE-së në Vjenë, do të zhvillohen në Bruksel dhe në Romë.
PDK. Partia Demokristiane i ka bërë thirrje kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, që të takohet me 10 deputetët grevistë, të cilët kanë hyrë dje në ditën e tyre të tretë të grevës së urisë.
Policia. Policia ka shtuar dje në mbrëmje masat për survejimin e protestës që po zhvillohet përpara selisë së Kuvendit nga mbështetës të LSI-së, PDK-së dhe PS ‘91. Janë shënuar disa përplasje të vogla, pasi Policia Bashkiake e ka cilësuar të paligjshme vendosjen e çadrave për protestuesit.
Kallëzimi Penal. Policia e Shtetit deklaroi se ka bërë kallëzim penal për sekretarin e Përgjithshëm të LSI-së, Petrit Vasili. Policia e Shtetit e konsideroi të paligjshme protestën e organizuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim.
Frrok Gjini. Për deputetin e PDK-së nuk është hera e parë e futjes së tij në grevë urie. Gjini është futur në grevë urie edhe 10 vjet më parë, pas trazirave të ndodhura më 14 shtator 1998, ku Gjini ka protestuar me këtë akt, pasi e konsideronte të paligjshëm ndalimin e tij nga forcat e policisë.
13 Nentor 2008