Deputetët grevistë si studentët e 91-shit?
Autori i Lajmit: red.
Pa dyshim që gjëja kryesore që të dhjetë deputetët e ngujuar në sallën e Parlamentit shqiptar duan të shohin apo të dëgjojnë janë lajmet për mijëra qytetarë të mbledhur përpara sallës së tyre, duke protestuar për ruajtjen e votës së lirë. Duke brohoritur emrat e tyre dhe mbajtur parulla për të shfuqizuar Kodin e ri Zgjedhor. Duke i detyruar dy forcat kryesore politike të kthehen mbrapsht dhe të pranojnë ndryshimet e propozuara nga partitë e vogla. Mirëpo këto lajme po vonojnë të vijnë dhe kjo dëshmon se nuk jemi më në gjendjen e grevës së studentëve të dhjetorit 1991. Atëhere u shkul e gjithë Tirana, intelektualë, punëtorë, nxënësit e gjimnazeve dhe universitetit dhe u nis në Qytetin Studenti, në godinën kryesore të të cilit studentët ishin ngujuar. Pa dyshim që ato ditë tek ata mblidheshin lart nga 40-50 mijë vetë çdo mëngjes dhe mesditë. Po të shkosh tek godina e Parlamentit në orën 11:00 të mesditës, sot sheh disa qindra... Jo se nuk ka banorë Tirana. Në të kundërt, kryeqyteti ynë sot numëron të paktën katër herë më shumë banorë se 17 vjet e gjysmë më parë. Ka ndodhur një transformim tjetër, shumë më i rëndësishëm për fatet e politikës së vendit. Thjesht besueshmëria e qytetarëve ndaj idealeve të veprimtarëve të politikës së sotme është ulur drejt zeros. Nga zhgënjimet e njëpasnjëshme, qytetarët po kthehen në indiferentë të mëdhenj, duke ia lënë dekorin e takimeve politike me “popullin” disa dhjetëra militantëve të paguar që zhvendosen me furgona dhe brohorasin e çirren nëpër mitingje. Nga ana tjetër, çfarë kontribuon në shpresat e ftohura të shqiptarëve për fatin e kësaj greve është fakti se ata që qëndrojnë pa ngrënë natë e ditë mbi karriget e Parlamentit, deri kohë më parë ishin kryeministra e ministra. Ishin figura politike që pajtoheshin kryekëput me politikën e vjetër të shantazhit dhe kulisave, të abuzimeve me poltronën. Në mos shpesh ishin edhe vetë protagonistë e ideatorë të saj. Kështu që njerëzit nuk kanë garanci se, nëse këto figura ngrihen dhe projektohen si fituese nga zgjedhjet e ardhshme, ata nuk do të vazhdojnë avazin e vjetër. E kanë të vështirë të besojnë se sakrifica e tyre madhore bëhet tashmë për ideale dhe jo për interesa të mirëllogaritura politike. Këtu qëndron vija që ndan tensionin e grevës së sotme nga tronditja e një kombi të tërë, që e shkaktoi greva e studentëve e janar-shkurtit 1991. Megjithatë, shqiptarët po fillojnë ta kenë mendjen përherë e më shumë tek informacionet mjekësore për gjendjen e deputetëve të ngujuar. Mësuan se disa syresh kishin marrë serume, pse po e përballonin me probleme mungesën e ushqimit. Dhe nëpër mendje ka nisur t u shkojë ideja e rrezikut për ndonjë infarkt të mundshëm tek deputetët më të dobët fizikisht. Sepse, në fund të fundit, një grevë urie është një grevë urie. Është një akt sublim. Nën mundimet e këtij akti shpëlahet mirë çdo mëkatar mesatar politik, njëlloj si nga rrëfimi tek prifti lan mëkatet i krishteri. Mediat elektronike bëjnë punën e tyre dhe ato na e japin të gjallë sakrificën që po konsumohet në sallën plenare të Kuvendit të Shqipërisë. Me kalimin e ditëve, sytë e shqiptarëve do të nguliten përherë e më shumë tek fytyrat e mpakura e të zbehta të deputetëve grevistë. Dhe sa më tepër do të zverdhen dhe dobësohen ata, aq më shumë do të çelet e forcohet ndërgjegjja e shqiptarëve, do të rritet simpatia e tyre për deputetët grevistë. Do të harrohet se nga ç baza dhe për ç llogari e nisën grevën dhe do të ngelet thjesht dhe vetëm sakrifica e tyre. Në këto kushte dhe në këtë atmosferë, ata shqiptarë që do të dalin në rrugën përballë Parlamentit do të shtohen, do të jenë me mijëra. Dhe nuk do të ngurrojnë të brohorasin me plot mushkëritë për Metën, Ndokën, Xhufin, Gjinin e me radhë, pavarësisht se deri dje nuk ushqenin as më të voglin nderim apo pasion për këta deputetë. Një grevë urie e ka këtë forcë. Njerëzit nuk pyesin se çfarë ka qenë më parë studenti që në vitin 1968 dogji veten në sheshin kryesor të Pragës në shenjë proteste ndaj pushtimit sovjetik. Pak u intereson nëse ky student kishte braktisur të ëmën e zhvillonte një jetë asketi. Ai për ta është një hero dhe kështu do ta mbajnë mend përjetë. Në mënyrë të ngjashme, akti sublim i grevës së urisë “shpëlan” Metën, Ndokën e të tjerët nga “mëkatet politike” të deritanishme. Nëse greva vazhdon, pak ditë na ndajnë nga shndërrimi i tyre në “studentët e 2008-ës”, në heronj të zgjedhjeve të lira e të pakontrolluara me diktat ligjor nga dy partitë kryesore.
Fatos Çoçoli
Ky lajm është publikuar: 15/11/2008