E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Cilat janë shtatë problemet e buxhetit të 2009-ës”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Abuzuese, shpërdoruese dhe korruptive duket politika e investimeve publike për vitin 2009. Projektet që po çelen në prag të fushatës elektorale do të rëndojnë zvarritjen e shumë investimeve të nisura dhe të papërfunduara për disa vite rresht”

Opozita i kërkon Qeverisë të rishikojë projektbuxhetin e vitit të ardhshëm për të zbutur pasojat që, sipas saj, do të sjellë kriza botërore në ekonominë e vendit. Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, renditi disa prej kërcënimeve që mbart tkurrja e paralajmëruar e ekonomisë për vitin e ardhshëm. Malaj përsëriti shifrat e publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, sipas të cilave, për vitin 2009 rritja ekonomike mund të jetë më e vogël, rreth 3.5 për qind, kjo do të sjellë më pak të ardhura në buxhet duke rrezikuar një deficit më të lartë, kjo mund të rrisë papunësinë dhe varfërinë. Buxheti i vitit 2009 vjen në një vit zgjedhjesh, por dhe në kushtet e një krize të përbotshme, e cila sipas FMN-së, mund të sjellë një ngadalësim të fortë të ekonomisë në Shqipëri. Buxheti i vitit 2009, parashikon një total shpenzimesh prej 383 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat planifikohen 333 miliardë lekë, me një deficit prej 4.2 për qind të produktit të brendshëm bruto.
Kritikat
“Shqetësimi i parë është rënia e të ardhurave në fundin e vitit 2008 që po kompensohet nga qeveria me mbledhje abuzive të të ardhurave nga doganat dhe tatimet. Kjo rëndon akoma më shumë biznesin dhe ekonominë tonë. FMN deklaroi se qeveria po tenton të kompensojë rënien e të ardhurave me mbledhje abuzive të të ardhurave. Raporti i fundit i BE thekson se 75 % e rritjes së të ardhurave në vitin 2008 është nga rritja e çmimeve, çka do të thotë se shqiptarët kanë paguar më shumë dhe janë varfëruar më shumë. Njëkohësisht kjo tregon se qeveria ka dështuar në luftën kundër kontrabandës dhe korrupsionit”,- pohoi dje deputeti socialist Arben Malaj, duke analizuar projektbuxhetin e vitit 2009. Sipas tij, shqetësimi i dytë është që realizimi i investimeve publike dhe dështimet e tyre, 300 milionë dollarë ishte dështimi për vitin 2007, realizim më pak se 50% është niveli i investimeve për 9 muajt e vitit 2008. “Abuzuese, shpërdoruese dhe korruptive duket politika e investimeve publike për vitin 2009. Projektet që po çelen në prag të fushatës elektorale do të rëndojnë zvarritjen e shumë investimeve të nisura dhe të papërfunduara për disa vite rresht”, - tha Malaj. Ai theksoi se ky është shpërdorimi i madh me fondet publike. Sipas Malajt, Qeveria po tenderon projekte qindra milionë lekë dhe çel në buxhet për këto projekte 5 – 10 për qind të shumës. Kjo tregon keqpërdorim të parave të taksapaguesve shqiptarë dhe korrupsion në rritje me investimet publike. “Shqetësimi i tretë është dështimi për investimet në sektorët jetikë: arsim, shëndetësi dhe bujqësi. Ky buxhet mbyll mandatin 4-vjeçar të PD-së. Kjo është arsyeja pse sot sistemi arsimor dhe shëndetësor ndodhen në një gjendje kritike. Drejtuesit në arsim dhe shëndetësi ndryshojnë sa herë ndryshon ministri, administrata ndryshon sa herë ndryshon ministri, investimet e huaja realizohen 25 – 35 %. Pasojat janë të konsiderueshme për prindërit, nxënësit, të sëmurët dhe familjarët e tyre”, - tha deputeti i PS-së, Arben Malaj. Shqetësimi i katërt për të është deficiti në rritje që Qeveria aplikoi gjatë mandatit të saj, duke rritur barrën e krizës për vitet pasardhëse. Malaj rendi si problem të pestë papërgjegjshmërinë për sfidat që ka vendi në kushtet e krizës ekonomike globale. Sipas deputetit socialist, eksportet tradicionale mund të bien, ndërsa bujqësia është braktisur totalisht, mbështetja e saj buxhetore është më e vogël se në vitin 2005, ndërsa investimet e huaja janë 3 herë më të vogla në këtë sektor jetik dhe që mund të lehtësojë varfërinë e 50 % të popullsisë së vendit. Projektet për kredi lehtësuese për eksportuesit dhe fermerët mbeten vetëm demagogji. “Shqetësimi i gjashtë është rritja ekonomike në vend. Qeveria deklaroi se rritja ekonomike për 2008 do të ishte dyshifrore rreth 11 % më e madhe se e Kinës dhe Indisë, FMN parashikon një rritje rreth 6 %, ose 200 % më pak se deklarata e Kryeministrit. Për vitin 2009 rritja ekonomike mund të jetë më e vogël rreth 3.5 %, kjo do të sjellë më pak të ardhura në buxhet duke rrezikuar një deficit më të lartë, kjo mund të rrisë papunësinë dhe varfërinë”, - tha ai. Për ish-ministrin e Financave po aq shqetësues është dhe buxheti social i vitit 2009, i cili në vlera reale është më i vogël se ai i vitit 2008. “Në përfundim buxheti i vitit 2009 është buxheti i fundit i mandatit të PD-së, është buxheti i një viti elektoral, është buxheti i një viti në krizë ekonomike. Ky është buxheti i një viti të mbingarkuar politik, të gjitha këto risqe mund të reduktohen vetëm në qoftë se ndalohen abuzimet me fondet publike dhe luftohet realisht kontrabanda dhe korrupsioni që po gërryejnë të ardhurat buxhetore dhe xhepat e shqiptarëve”, - përfundoi Malaj.
S.T
Ky lajm është publikuar: 15/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›