E Diel, 1 Nëntor 2026

“Buxheti shtesë, truk i Qeverisë”

Autori i Lajmit: red.
Socialistët kritikojnë përsëri buxhetin e shtetit. Deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani, pohoi dje se projektbuxheti i 2009-ës vazhdon të mbetet larg realitetit shqiptar, larg krizës financiare botërore që ka prekur gjithë globin dhe vite dritë larg premtimeve me të cilat Berisha erdhi në pushtet. Sipas tij, ky buxhet e bën më të qartë se kurrë, se Berisha as mendonte për ndonjë moment të vetëm të realizonte ato premtime që dha në vitin 2005. “Buxheti vazhdon të mbetet demagogjik. Historia pa sens e buxheteve shtesë vazhdon të jetë mashtrim. Si guxon qeveria “Berisha” të paraqesë një projektbuxhet të pabazuar në fakt. Për të tretin vit me radhë vihet re se buxheti shtesë nuk është gjë tjetër veçse truk për të çuar fonde shtesë në investimet pa imunitet që Berisha ka aq për zemër! Nuk kapet as buxheti fillestar e jo më ai shtesë”, - tha Harasani. Ai pohoi se rritja e ekonomisë 6% është larg objektivave të Qeverisë. Ai kërkoi më tej që të respektohet kërkesa e FMN-së që inflacioni të mos jetë më i madh se 2.5 për qind, është parashikuar 4.2 për qind. Sipas Harasanit, edhe deficiti buxhetor është në rritje. “Të përfshihen në buxhet shifrat e të ardhurave nga privatizimi dhe përdorimin e tyre në vitin 2008. Mungojnë në pasqyrën e konsoliduar të buxhetit. Borxhi tregtar në rritje dhe kostoja e tij tenton të bëhet e rëndë për vitet në vazhdim. Dyfishimi i buxhetit për arsimin një demagogji e dështuar, jo vetëm që s ka dyfishim, por niveli i vitit 2009 është vetëm 3.5 lekë/ 100 lekë. Shëndetësia në gjendje katastrofike, vetëm 2.1 lekë në 100 lekë. Bujqësia që mund të përfitojë nga tregjet ndërkombëtare vetëm 4 lekë në 1000 lekë. Grantet janë vetëm 50 milionë euro nga 245 milionë euro që EU i jep Shqipërisë për 3 vjet, por ajo dështon të absorbojë”, - rendit Harasani mangësitë e projektbuxhetit. Sipas tij, fillimi i suksesshëm i procesit të privatizimit të kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike është inkurajues, por zhvillimet e fundit të pakënaqshme në sektorin ë energjisë elektrike duhet të zgjidhen me shpejtësi. Norma e arkëtimeve duhet të rritet me tej, mospagimi nga institucionet publike duhet të ndërpritet dhe humbjet financiare duhen adresuar më gjerësisht.
Ky lajm është publikuar: 14/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›