E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërmeti 9 ballësh shqiptar, do shkërmoqte ndërtimet me kursime

Autori i Lajmit: red.
Që nga themelimi i Shërbimit Gjeologjik e deri para disa muajve ka punuar pranë Shërbimit Gjeologjik. Prof. dr. Shyqyri Aliaj me specialitetin gjeolog, ka ndërmarrë kërkime të ndryshme në fushën e sizmologjisë, të naftës, dhe të profilit sizmo-tektonik- domethënë të mënyrës se si lidhen tërmetet me ndërtimin gjeologjik, vlerësimin sizmik në çështje ndërtimi dhe rrezikun sizmik sipas zonave. Pas episodit tragjik të shënuar ditë më parë në Gjirokastër që përfundoi me shembjen e një pallati, tri viktima e dhjetë të arrestuar, çështja e se si ndërtohet dhe ku ndërtohet ka ngjallur sensibilizim në publik, reagim në strukturat shtetërore por edhe një oponencë tek specialistët e fushave që lidhen me ndërtimet. Këtë numër flet për “BAllkan” specialisti i fushës së Sizmologjisë, prof. Shyqyri Aliaj.

-Ju si specialist, duke parë mënyrën se si ndërtohet nga të katër anët e vendit, a jeni i alarmuar? Sa herë keni patur mundësi ta thoni fjalën tuaj, atje ku mund të përmirësohen gjërat? Pra, cili ka qenë raporti i Sizmiologjisë me instancat e tjera, në mënyrë që të parandalohen fatkeqësi me përmasa të mëdha?
Në fushën e ndërtimeve, organet shtetërore kanë nxjerrë ligje që janë të detyrueshme të zbatohen , ka dhe organe kontrolli për zbatimin e këtyre vendimeve, por problemi është se si zbatohen këto kontrolle dhe a zbatohen nga të gjithë. Në bazë të ligjit të Urbanistikës, i cili është aktualisht në fuqi, (sepse ligji i ri është akoma draft), për ndërtimet kërkohen dy studime të veçanta, një studimi gjeologjik i sheshit të ndërtimit dhe studimi i rrezikut sizmik të sheshit.
-Eshtë toleruar ky lloj studimi dhe sa është marrë në konsideratë në miratimin e sheshit të ndërtimit? A janë kryer për çdo ndërtim, studimet sizmiologjike pranë institutit ku ju keni punuar?
Që në vitin 95, ish-kryeministri Meksi nxorri një vendim për kryerjen e studimeve sizmologjike. Në vitin 98 doli ligji i Urbanistikës që e sanksionoi detyrimin me përpilimin e formularëve që duhej të vinte t i merrte çdo firmë ndërtimi. Pas vitit 99 dhe 2000, filluan ta zbatojnë vendimin për kryerjen e studimeve sizmologjike Bashkia e Tiranës dhe Bashkia e Durrësit, ndërsa bashkitë e tjera thoshin, që nuk na ka ardhur vendimi. Kështu, bashkitë e komunat vazhduan një kohë të gjatë të japin leje ndërtimi pa studimin sizmologjik. Vlora e filloi më vonë ta zbatonte. Pra, vendimi i Urbanistikës filloi të zbatohej me një vonesë prej 2-3 vjetësh dhe ndërtimet e shumta të kryera në këtë hark kohor, nuk kanë studime sizmologjike.
Problemi tjetër është, se që nga viti 2006, Këshilli i Ministrave nxorri një vendim, i cili kërkonte ndryshimin e procedurës për pagesën e tarifave të studimeve që bëheshin në Institutin e Sizmologjisë pranë Akademisë së Shkencave. Tashmë, tarifat nuk do t i përcaktonte më Akademia. U bë propozimi për tarifat e reja dhe u çua në qeveri por deri në fund të 2007-s nuk doli asnjë vendim. Gjatë kësaj kohe, ne ne nuk bënim asnjë studim sepse ishin pezulluar. Tani kanë filluar të bëhen por nuk di se si.
-Në një shesh, nëse është bërë studim sizmologjik për disa pallate, a është e nevojshme që të bëjnë studim edhe pallatet pranë? Pra, a mund të ndryshojë terreni me pëllëmbë nga pikëpamja sizmologjike, në një sipërfaqe të vogël?
Si rregull, ligji nuk e thotë që po pati studim pallati ngjitur, nuk ka nevojë të ketë tjetri.
-Ok, por nga pikëpamja sizmiologjke shtresat e tokës janë aq të ndryshueshme?
Mund të godasë kur ka ndryshim të madh në sektorë të ndryshëm, por në përgjithësi nuk ka ndryshime të mëdha. Ka pasur raste, që firma e ndërtimit që ka marrë një zonë të tërë, pasi ka bërë studim sizmologjik për një pallat, vazhdon edhe për pallatet e tjera.
-Mjafton që për të ndërtuar një lagjje, të bësh studim të një pallati?
Jo për një lagjje, por për 2-3-4 pallate, pra vetëm për një shesh ndërtimi.
-Qytetari mund të mendojë: “Pse duhet të kem frikë të banoj në pallatim tim të ri, kur rreth e qark këtij të riut janë të vjetrit, të bërë me kohë me të tëra studimet? Nëse toka është e fortë për ata, është edhe për mua”. Pra, ky banor, a ka arsye të trembet, që shtëpia e tij është bërë pa studim sizmologjik?
Po, ka arsye të trembet nëse ndërtimi ka qenë pa studim, sepse nuk e di se si e kanë bërë projektimin e ndërtimin. Në këtë rast, duhet që këto ndërtime të studiohen për qëndrueshmërinë sizmike të tyre dhe për këtë në Institutin e Gjeo-Shkencave janë dy specialistë që studiojnë qëndrueshmërinë sizmike. Në të gjitha rastet, kur një godinë nuk është bërë mbi bazën edhe të një studimi sizmiologjik, specialistët duhet të shkojnë të masin me aparatura se si sillet ky pallat ndaj një tërmeti. Ndërtimi fillon që nga projektimi i konstruksionit në letër.
-A janë bërë ndërtime në zona me aktivitet sizmik të ndjeshëm në vend?
Shqipëria është nga vendet me rrezik sizmik të lartë në Europë. Pjesa bregdetare nga Shkodra-Lezha-Durrësi, përfshirë edhe Tiranën që shkon në Vlorë, është një brez sizmik shumë i fuqishëm, që arrin me magnitudë 7 shkalla Rihter, domethënë arrin me intensitet 9-9.5 ndonjëherë edhe 10 ballë Merkali. I tillë ishte tërmeti i 15 prillit 1979, që ra në zonën Kufitare Mali i Zi -Shqipëri, i cili shkaktoi 135 të vdekur. Gjithë zona e Nënshkodrës u ndërtua nga e para. Përveç këtij brezi sizmik, Shqipëria ka edhe dy breza të tjerë sizmikë të fuqishëm: një brez që shkon nga Peshkopia në Ohër (Korçë dhe një brez që shkon nga Elbasani në Dibër dhe vazhdon deri në Gjilan.
-Po çfarë duhet bërë? Nuk duhet ndërtuar më në këto zona?
Jo, por duhet që ndërtimet të bëhen të tilla, për të përballuar këtë rrezik sizmik, sepse, nëse projektohet dhe ndërtohet në përputhje me rrezikun sizmik, nuk ka problem. Shqipëria ka rrezikshmëri nga pikëpamja sizmike, por nuk është tek më të lartat në botë. Turqia ka tërmete më të fortë, me 8-9 shkalla Rihter. Tërmeti që ra në Turqi në gusht 99 me magnitudë afër 8, vrau 30 mijë njerëz, por ata që kishin ndërtuar mirë, qëndronin në këmbë, ndërsa ata që nuk kishin ndërtuar mirë, u shembën krejt. Dhe të gjithë i kujtojnë proceset gjyqësore ndaj kompanive që kishin ndërtuar objektet e shkatërruara. Tërmeti është prova. Duhet njohur rreziku sizmik që godinën ta bësh të përballojë forcën e tërmetit dhe Shqipëria mund ta përballojë forcën e tërmetit, nëse ndërtohet mirë.

“Studimet sizmiologjike duhen verifikuar nga bashkitë dhe komunat”
Qytetarët janë të interesuar të dinë, se si po ndërtohen apartamentet e tyre, nëse apartamentet janë ndërtuar konform të gjitha rregullave të ndërtimit apo jo? Nëse letrat e firmave janë në rregull, a duhet të jenë të qetë ata? Kësaj pyetjeje, sizmologu prof. dr. Aliaj, i përgjigjet kështu: “Problemi është se me letra shumë objekte me rregulla mund të figurojnë në rregull. Por, sa të rregullta janë letrat, a janë bërë me cilësi, kjo është çështja. P.sh. gjatë kohës që unë isha në Institut, deri para pak muajve, ne kemi bërë studime të tilla. Por nuk dimë se a e ka marrë dikush tjetër studimin tonë, me firmën tonë dhe i ka bërë një kopje. U takon specialistëve të ndërtimit që me aparaturën përkatëse të provojnë nëse u rezistojnë godinat tërmeteve apo jo, atë detyrë që shtroi kryeministri”.
I pyetur për interesimin që tregonin vetë ndërtuesit për këto studime, gjatë kohës kur ai punonte në Institutin Sizmiologjik, prof. Aliaj thotë se kishte ndërtues, që vinin dhe i kërkonin këto studime, por në vend të tij u jepnim një vërtetim, që “jemi të gatshëm që t ua bëjmë, por po presim sa të dalë vendimi”. “Nuk mund të them dot, a vinin apo jo të gjithë ndërtuesit, se nuk i kontrolloje dot, por kishte që vinin. Gjithashtu, kjo situatë pezull na detyroi t i drejtoheshim Kryeministrisë dhe t i bënim të qartë problemin. Policia e Ndërtimit që duhej t i kontrollonte, nuk i bënte kontrolle të tilla. Pati një perirudhë stop-i”. Problemi tjetër që ai shtron, është se, nëse lejet janë dhënë, mund të jenë dhënë mbi studime të fotokopjuara. Duke marrë një studim të gatshëm dhe duke ndryshuar faqen e parë me emër tjetër, në shesh tjetër. Pra, edhe atje ku thonë se kanë dokumente, ato duhen verifikuar thotë sizmiologu. Ai propozon që Bashkia apo komuna, para se të lëshojë lejen e ndërtimit duhet të shkojë të pyesë, qoftë tek Departamenti Sizmiologjik, qoftë tek gjeologu, se a e ka bërë studimin e pretenduar nga firma. Pra, duhet ta ballafaqojë me rregjistrat e tyre. “Kohë më parë, Bashkia e Tiranës na kërkoi se cilat studime keni kryer këto vite dhe ne ia dhamë me listë. Sepse donte me sa duket ta bënte këtë verifikim. Por ky ishte një verifikim në total, dhe jo ndërtim për ndërtim”, thotë prof.dr. Aliaj.

Shqipëria është nga vendet me rrezik sizmik të lartë në Europë. Pjesa bregdetare nga Shkodra-Lezha-Durrësi, përfshirë edhe Tiranën që shkon në Vlorë, është një brez sizmik shumë i fuqishëm, që arrin me magnitudë 7 shkalla Rihter, domethënë arrin me intensitet 9-9.5 ndonjëherë edhe 10 ballë Merkali. I tillë ishte tërmeti i 15 prillit 1979, që ra në zonën Kufitare Mali i Zi -Shqipëri, i cili shkaktoi 135 të vdekur
Ky lajm është publikuar: 15/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›