Deputetët i paraprijnë ligjit, dorëzojnë makinat
Deputetët e Kuvendit kanë nisur respektimin e ligjit për reduktimin e transportit si dhe luksin e të pasurit makinë, para se ligji i qeverisë të shqyrtohet nga ana e tyre në Kuvend. Administrata e Kuvendit ka nxjerrë një urdhër, ku u kërkon deputetëve të dorëzojnë makinat me afat të fundit, datën 21 shtator. Mësohet se vetëm 2 deputetë nuk e kanë respektuar këtë urdhër, ndërsa të gjithë të tjerët i janë përgjigjur atij. Ligji i ri "Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët e lartë dhe nëpunësit civilë" redukton më mënyrë të ndjeshme përdorimin e automjeteve zyrtare nga administrata si dhe ul karburantin që përdoret aktualisht nga zyrtarët. Sipas nismës së re ligjore, do të kursehen më shumë se 30 milionë dollarë në vit nga reduktimi i luksit të shoferëve, makinave dhe karburantit. Drafti i ri nuk i jep të drejtën e targës zyrtare asnjë zyrtari tjetër për transportin e tij dhe i sanksionon të drejtën e transportit vetëm Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, drejtuesve të institucioneve kushtetuese, ministrave etj. Nga ana tjetër, duke qenë se asnjë kategori tjetër, përveç krerëve kushtetues, nuk do të ketë më makinë shtetërore në përdorim, qeveria ka ndarë në disa kategori të zgjedhurit dhe zyrtarët që do të trajtohen me bonuse mujore për mbulimin e shpenzimeve. Kategoria e parë janë deputetët dhe kryetarët e bashkive të mëdha, që do të marrin në muaj 45 mijë lekë, të cilin do ta menaxhojnë vetë për transportin e tyre. Të tjerët, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, drejtuesit e Krimeve të Rënda në gjykatë dhe prokurori nga 35 mijë lekë në muaj. Më pas vijnë kategoritë me trajtim 30 mijë lekë në muaj dhe kategoria e fundit me 20 mijë lekë. Por, çështja e transportit të zyrtarëve nuk pritet të mbyllet me kaq. Qeveria do të marrë së shpejti një vendim edhe për fatin e makinave, që janë aktualisht në pronësi të ministrive dhe gjithë dikastereve shtetërore që preken nga projektligji për transportin e zyrtarëve.