Komisioni i Venecias, Berishës: Rizgjedhja juaj çon Shqipërinë përpara
Komisioni i Venecias mbetet i befasuar nga progresi i jashtëzakonshëm i Shqipërisë në një kohë të shkurtër. Ky komision shpreh bindjen se me rizgjedhjen e Sali Berishës në krye të qeverisë edhe për 4 vitet që vijnë, zhvillimi i Shqipërisë do të jetë edhe më evident. Kryeministri Berisha mori dje një mesazh urimi nga Drejtori i Komisionit të Venecias, z. Gianni Buquicchio, me rastin e rizgjedhjes së tij si Kryeministër i Shqipërisë. Në këtë mesazh z. Buquicchio shprehet: “Ju shkruaj për t’ju uruar për rizgjedhjen tuaj si Kryeministër i Shqipërisë. Komisioni i Venecias ka qenë i angazhuar në Shqipëri që në vitet ’90 dhe sa herë që unë kam vizituar vendin Tuaj, kam mbetur i befasuar nga progreset e jashtëzakonshme të realizuara në një kohë të shkurtër. Rizgjedhja juaj ju jep mundësinë që të bëni edhe më shumë për të çuar vendin tuaj përpara”. Z. Buquicchio përfundon mesazhin e tij: “Komisioni i Venecias do të jetë i lumtur t’ju mbështesë në përpjekjet tuaja brenda hapësirës së tij të kompetencës”.