Topi e Berisha: Projekte të përbashkëta italo-shqiptare
Investitorët italianë kanë një rol parësor në zhvillimin dhe modernizimin e Shqipërisë, si dhe në proceset e saj integruese. Presidenti Bamir Topi dhe Kryeministri Sali Berisha pritën dje në takime të veçanta kryetarin e Bashkisë së Torinos, z. Sergio Champarino, i cili shoqërohej nga ambasadori i Italisë në Shqipëri, z. Saba D’Elia, nga rektori i Universitetit të Torinos, zoti Ezio Pelizzetti, si dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Dhomës së Tregtisë së Torinos, z. Guido Bolatto. Kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria është vendi i shumë mundësive për investime nga kompanitë më të mëdha të kësaj zone për të shfrytëzuar potencialet e vendit në energji, minerale, infrastrukturë etj., si dhe për një bashkëpunim të frytshëm me Universitetin e Torinos në kuadër të politikave të qeverisë, të cilat e shohin me përparësi arsimin e lartë në vend. Edhe kryebashkiaku i Torinos u shpreh sa ka një interes të madh të kompanive torineze për të investuar në vendin tonë dhe se këto shkëmbime dhe vizita mes autoriteteve do të jenë të vazhdueshme, për të fokusuar interesin e biznesit në fushat më me interes. Nga ana e tij, z. Berisha pohoi se qeveria shqiptare mirëpret investitorët torinezë në Shqipëri dhe se do të mbështesë investimet e tyre që ato të jenë një histori suksesi. Gjatë bisedës, Kryeministri Berisha e njohu z. Chiamparino me lehtësitë që ka krijuar qeveria për investimet e huaja, si dhe kushtet e favorshme që ata do të gjejnë këtu, si barra e ulët fiskale, krahu i favorshëm i punës, uljet e çmimit të energjisë për biznesin, një infrastrukturë të rinovuar, parqet industriale në të gjithë vendin etj. Kurse gjatë pritjes në Presidencë, kreu i shtetit Bamir Topi nënvizoi rëndësinë e veçantë që mbart bashkëpunimi mes pushteteve vendore dhe strukturave përkatëse të tij dhe vuri në dukje se përvoja e autoriteteve vendore të një rajoni kaq të zhvilluar si Piemonti, është një referencë pozitive, me interes dhe një kontribut e ndihmesë për strukturat e pushtetit tonë vendor në ushtrimin e kompetencave të tyre dhe realizimin e reformave të rëndësishme.