Anglia, McIlwham: Për integrimin ne ju ofrojmë mbështetje
Ambasadorja britanike Fiona McIlwham siguroi dje qeverinë shqiptare për mbështetjen që Britania e Madhe do të vazhdojë t’i ofrojë Shqipërisë në avancimin e shpejtë të procesit integrues në strukturat euroatlantike dhe atij të liberalizimit të vizave. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, priti dje ambasadoren e Britanisë së Madhe, Fiona McIlwham. Ambasadorja McIlwham i dorëzoi z. Meta letrën e urimit nga Sekretari i Jashtëm z. David Miliband, ku vlerësohet “roli ndihmues dhe konstruktiv i Shqipërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”. Gjatë këtij takimi, Meta dhe ambasadorja McIlwham vlerësuan nivelin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe shprehën vullnetin e ndërsjellë për të thelluar në veçanti marrëdhëniet në fushën e rendit dhe sigurisë publike si dhe në sistemin gjyqësor. Meta i shprehu ambasadores McIlwham mirënjohjen e tij për mbështetjen e deritanishme të Britanisë së Madhe dhe e siguroi atë për bashkëpunim të frytshëm nga ana e qeverisë shqiptare.