Enciklopedia, Meta: Të lihen mënjanë provokacionet
Tirana zyrtare i kërkon qeverisë maqedonase që të distancohet nga provokacione të tilla si ajo e enciklopedisë së Akademisë së Shkencave. Ministri i Jashtëm Ilir Meta, në emër të qeverisë shqiptare ftoi fqinjët për bashkëpunim, por duke lënë mënjanë këto provokime dhe tensione që nuk i shërbejnë as stabilitetit të këtij vendi, që sipas tij, është i rëndësishëm dhe për stabilitetin e rajonit tonë. Qeveria shqiptare i ka ndjekur me shqetësim zhvillimet e fundit në Maqedoni lidhur me reagimet dhe polemikat që solli enciklopedia e Akademisë së Shkencave të këtij vendi. Sipas ministrit tonë të Jashtëm, Ilir Meta, ky ishte një provokacion i hapur ndaj shqiptarëve dhe mbetet për t’u vlerësuar reflektimi i qeverisë maqedonase. “Ne e kemi shprehur shqetësimin tonë që dokumente të tilla, që janë të rëndësishme, të mos u shërbejnë provokimeve të tensioneve, të mos fyejnë komunitetet apo kombet e tjera dhe me këtë rast ne shprehim kënaqësinë për reflektimin lidhur me rishikimin e kësaj enciklopedie”, - theksoi z. Ilir Meta.
Gruevski, Berishës: Dua të bashkëpunoj me ju
Në kulmin e tensionimit të situatës për shkak të publikimit të enciklopedisë, Kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski, kërkon vijimësinë e bashkëpunimit të mëparshëm me homologun shqiptar, Sali Berisha. Kryeministri Berisha mori dje një mesazh urimi nga Kryeministri maqedonas, z. Nikola Gruevski. Në këtë mesazh z. Gruevski shprehet: “Me rastin e rizgjedhjes Suaj si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, me nderim të veçantë ju shpreh në emër të qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe në emrin tim, urimet më të sinqerta për sukses në përgjegjësitë tuaja”. Më tej, z. Gruevski shkruan: “Thellësisht besoj se me përpjekje të përbashkëta do të vazhdojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin dhe marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve. Jam i bindur se na pret një e ardhme intensifikimi e dialogut të përbashkët politik, në nivelin bilateral dhe multilateral, i cili do të kontribuojë në realizimin e arritjeve strategjike në të dy vendet”.