E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, raporti me 8 angazhimet e qeverisë mbërrin në Bruksel



Qeveria “Berisha” skanon shkallën e përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga BE-ja për heqjen e vizave dhe raportin e plotë të tyre me 8 angazhimet kyçe e nis drejt Brukselit. Ministria e Punëve të Jashtme dorëzoi dje në Bruksel raportin e dytë për plotësimin e detyrimeve të kërkuara nga udhërrëfyesi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave. Ky raport u miratua dy ditë më parë në mbledhjen e radhës së Komitetit Ndërministror për Liberalizimin e Vizave dhe përfshin një skanim tërësor të shkallës së përmbushjes së detyrimeve për të katër blloqet e këtij udhërrëfyesi: siguria e dokumenteve, kufijtë, azili, migracioni, siguria dhe rendi publik si dhe marrëdhëniet me jashtë dhe të drejtat themelore të njeriut. Përgatitja e këtij dokumenti të detajuar, është bërë me përgjegjësinë më të lartë, jo vetëm në evidentimin e arritjeve të 6 muajve të fundit, por edhe në angazhimin për përmbushjen brenda afateve të përcaktuara të gjithë listës së detyrimeve të kërkuara nga udhërrëfyesi i Komisionit Evropian. Ndërkohë që Komiteti Ndërministror ka vendosur afate të qarta përshpejtuese edhe për të gjitha ato aspekte të cilat do të vijojnë të përmbushen ditët, javët dhe muajt e ardhshëm. Qeveria shqiptare është e bindur se do t’i plotësojë të gjitha detyrimet e kërkuara dhe në kohën e premtuar. Liberalizimi i vizave është një nga elementët më të rëndësishëm të procesit të anëtarësimit të plotë në BE, element ky i cili prek nga afër çdo qytetar shqiptar. Pas dorëzimit të kontributit të parë të palës shqiptare raportin për plotësimin e angazhimeve dhe të detyrimeve, dje qeveria shqiptare dorëzoi edhe kontributin e dytë, i cili do të vlerësohet nga Komisioni, duke marrë parasysh të dhënat e fundit për plotësimin e detyrimeve dhe angazhimeve të palës shqiptare për pjesën e kriterit politik dhe çështje si shpërndarja e pasaportave biometrike, menaxhimi i kufijve etj. Në maj të këtij viti, qeveria e Kryeministrit Berisha premtoi se do të dorëzoheshin 100 mijë pasaporta biometrike, ndërkohë që tani në muajin shtator rezulton të jenë dorëzuar 130 mijë të tilla. Deri tani qeveria i është përmbajtur angazhimit për shpërndarjen e pasaportave, duke kaluar objektivin në numrin e pasaportave të shpërndara deri tani. Qeveria e re beson se në momentin e miratimit të vendimit për liberalizimin e vizave për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi, përfaqësuesit e BE-së do të shprehin qartësisht angazhimin për vazhdimin e procesit për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Për sa i përket pyetësorit që pritet t’i dërgohet së shpejti Shqipërisë nga KE-ja për plotësim, ky dokument ka për qëllim vlerësimin e gatishmërisë të vendit për të ecur drejt fazave të tjera që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me KE-në (informacion më i plotë se raporti vjetor i progresit). Është një dokument me pyetje të gjithanshme, përfshirë kriterin politik, i cili në detaje kërkon informacion për aspekte të ndryshme të funksionimit të shtetit; një pjesë e pyetjeve janë të karakterit të raportimit të statusit dhe një pjesë i takojnë vizionit politik për të ardhmen për shumë aspekte, politike, ekonomike etj.; koha në dispozicion për plotësimin e pyetësorit është 4 muaj. Përgjigjet duhet të jenë konkrete, të mirëpërpunuara dhe informacioni i saktë e konsistent. Duhet theksuar se përgjigjja e autoriteteve tona për pyetësorin e Komisionit do të jetë një sfidë serioze dhe cilësia e përgjigjeve do të ketë rëndësi vendimtare. Në këtë proces, do të jetë i përfshirë një numër i madh aktorësh institucionalë dhe të tjerë. Në rastin e Malit të Zi, numri i pyetjeve ishte 2178. Është e rëndësishme që përgjigjet të jenë koherente, të lidhura drejtpërdrejt me pyetjet dhe të përmbledhura.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›