E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetët juristë të PS-së kanë gati propozimet e tyre për zgjidhjen e krizës



Juristët e Partisë Socialiste, dje paradite, në pritje të ekspertëve të huaj, përgatitën propozimet e tyre për zgjidhjen e krizës dhe nisjen e dialogut. Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafa, së bashku me deputetët Damian Gjiknuri, Vasilika Hysi dhe Valentina Leskaj, diskutuan paraprakisht propozimet për t’ua komunikuar më pas ekspertëve juridikë të Bashkimit Europian. Këta të fundit do të hyjnë në detaje për një zgjidhje mes hapësirave ligjore për hetimin e zgjedhjeve. Gjatë negociatave, Partia Socialiste mësohet se do të përfaqësohet nga deputetja e Vasilika Hysi dhe nënkryetari i Komisionit të Ligjeve në PS, deputeti Damian Gjiknuri. Ndërsa Partia Demokratike do të përfaqësohet në tryezën e negociatave ligjore nga kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Ilir Rusmali, si dhe nga drejtori i Kabinetit të kryeministrit Berisha, Oerd Bylykbashi. Pas takimeve me zyrtarë nga të dyja palët pritet që ekspertët e huaj, së bashku me shefen e Kabinetit të komisionerit për Zgjerimin, Jana Sindelkova, të darkojnë me kreun e opozitës, Edi Rama. Socialistët ngulmojnë në hapjen e kutive dhe nuk pranojnë në asnjë mënyrë djegien e fletëve të votimit. Materialet zgjedhore, së bashku me fletët e votimit janë dy komponentët bazë për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit për socialistët. Selia rozë argumenton se neni 178 i Kodit Zgjedhor parashikon se fletët e votimit për t’u djegur kanë një afat prej dy vjetësh. Por, nga ana tjetër, ky argument i opozitës has në kundërshtimin e ashpër nga krahu tjetër, maxhoranca. Kryeministri Sali Berisha ka bërë të ditur se për transparencën duhet t’i nënshtrohen hetimit materialet zgjedhore. Mësohet se përsa u përket kutive, Partia Socialiste nuk mund të hetojë ato kuti që ajo ka kërkuar, por kjo mund të realizohet me short. Megjithatë, mbetet për t’u parë se çfarë do të arrihet si marrëveshje për zgjidhjen e krizës gjatë këtyre dy javëve edhe me ndihmën e ekspertëve të Bashkimit Europian.

Propozimi

Kompromisi i propozuar ditë më parë nga ambasadori i OSBE-së, Robert Bosh, për zgjidhjen e krizës politike, mbështetet në një plan me pesë pika. Ndërkombëtarët po përpiqen së pari që palët të bien dakord të hetojnë zgjedhjet nëpërmjet një komisioni hetimor parlamentar ku shumicën ta ketë opozita, bashkë me kryetarin e komisionit. Në propozimin e ambasadorit Bosh ishte vendosur që të shqyrtohej mundësia që nëpërmjet këtij komisioni, Kuvendi t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për çështjen që i përket hapjes së kutive dhe rinumërimit të votave. Nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese propozohej që të merrej opinioni i Komisionit të Venecias përsa i përket kërkesës kryesore të PS-së, që është hapja e kutive me fletët e votimit. Më pas do të synohej që palët të pranonin hapjen e kutive me materialet zgjedhore dhe së fundi që të dyja partitë politike të nisnin punën për të realizuar reformën e re zgjedhore sa më parë të jetë e mundur, në mënyrë që Kodi i ri Zgjedhor të jetë gati para zgjedhjeve lokale. Ndërkombëtarët do të kërkojnë ndarje të balancuar të drejtimit të komisioneve parlamentare, bashkëpunim për një reformë konsensuale në sistemin e drejtësisë.

27 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›