E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: “Prokuroria të rihetojë çështjen e rrugës Durrës-Kukës”



Partia Socialiste kërkon hetime të reja për rrugën Durrës-Kukës. Reagimi i opozitës vjen një ditë pasi kryeprokurorja Ina Rama e quajti hetimin një çështje të mbyllur. Deputeti Erion Braçe deklaroi dje se zotëron dokumente zyrtare të Ministrisë së Financave që dëshmojnë se kostoja për 1 km rrugë ka kaluar çdo limit të programuar. Braçe ka kërkuar hetim edhe për rrugën Rrëshen-Kalimash. Ai deklaroi se në buxhetin për vitin 2010, për rrugën Rrëshen-Kalimash kanë qenë planifikuar vetëm 1.6 miliardë lekë për të gjithë vitin, ndërkohë që deri në fund të prillit, sipas tabelave fiskale së qeverisë së Republikës së Shqipërisë, janë paguar 6.3 miliardë lekë, ose 60 milionë dollarë. Sipas tij, 3.9 herë ose gati 400% më shumë.
Durrës-Kukës
Deputeti Braçe i ka bërë thirrje Prokurorisë të rihetojë çështjen e rrugës Durrës-Kukës, ku sipas tij, ky krim vazhdon të financohet. “Dokumenti i ri mbi monitorimin e shpenzimeve të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, për gjithë vitin 2009, lëshuar nga Ministria e Financave, dëshmon se kostoja për 1 km është tejkaluar me 2 milionë USD! Pikërisht ky fakt dëshmon se krimi i zbuluar dhe i hetuar nga Prokuroria vazhdon të konsumohet dhe të financohet. Ky krim duhet rihetuar mbi bazë të vetë fakteve dhe natyrisht të analizës financiare që ka kryer Ministria e Financave”, - u shpreh Braçe.
Rrëshen-Kalimash
Partia Socialiste gjithashtu kërkon me insistim që krimi i zbuluar nga Prokuroria gjatë procedurave të prokurimit dhe pastaj projektimit të rrugës Rrëshen - Kalimash të gjykohet. Sipas tij, financimi i shpenzime të paparashikuara në rrugën Rrëshen - Kalimash, për vitin 2010, ka bërë që deficiti në katër muaj të arrijë në 187% të planit. “Hetimi duhet të nisë tani, me qëllim që gjithë këto para të kenë kuptim për mbi 550 mijë pensionistët e shtetit shqiptar. Vlera prej 112.8 miliardë lekësh të paguara deri tani për rrugën Rrëshen - Kalimash është e barabartë me një buxhet e gjysmë vjetor të 550 mijë pensionistëve”, - u shpreh Braçe, duke shtuar se “për gjithë rrogëtarët e shtetit vlera prej 112.8 miliardë lekësh të rinj, është e barabartë me dy buxhet vjetore të pagave të të gjithë buxhetorëve”.

27 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›