Kryeministri Berisha: “Në Strasburg nuk u dha asnjë ultimatum për krizën”
Gjatë fjalë që mbajti dje në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha u shpreh se në takimin e Strasburgut nuk është dhënë asnjë ultimatum për zgjidhjen e krizës politike në vend. Deklarata e Berishës synon të përgënjeshtrojë deklaratat e përfaqësuesve të lartë të PS-së, të cilët kanë bërë të ditur se në rast se nuk zgjidhjet kriza brenda dy javëve, vihet në pikëpyetje marrëdhënia e Shqipërisë me BE-në. Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë takim si qartësisht pozitiv. “Takimi në Strasburg, në vështrimin tim, ishte një takim qartësisht pozitiv. Miq të Shqipërisë, të cilët me preokupimin më të mirë dhe më pozitiv, më ftuan mua dhe zotin Rama për të shqyrtuar problematikën. Shkova, shkoj dhe do të shkoj pa asnjë lloj problemi. Unë kundërshtarin nuk e marr për armik. Unë nuk udhëhiqem kurrë në mendjen time nga kulti i armikut, sepse është rruga më e papranueshme në rrafshin psikologjik, por rruga më e sigurt e dështimit në rrafshin politik”, - u shpreh kryeministri Berisha. Më tej, kryeministri Berisha është shprehur se në mënyrë kategorike në atë takim nuk ka pasur ultimatume. “Dua t’ju garantoj një gjë: nuk ka pasur, në mënyrë kategorike dhe absolute, asnjë ultimatum. Se një vendi të lirë dhe një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm nuk mund të imagjinojë kush të japë ultimatume. Çdo interpretim i kësaj natyre është tërësisht interpretim primitiv, thellësisht primitiv. Meqenëse e kanë qarkulluar këtë gjë me kaq pasion, mund të them se, përkundrazi, janë diskutuar opsione për të cilat, për shkak të karakterit të tryezës, pasi ishte një darkë pune, nuk kam marrë dhe nuk marrë përsipër ti bëj publike. Por ka spikatur dhe spikat, në mënyrën më të qartë, vendosmëria për të respektuar Kushtetutën e këtij vendi, për të respektuar ligjet e këtij vendi, për të pasur dialog të padiskutueshëm midis forcave politike, për të studiuar të gjitha hapësirat e mundshme dhe për të arritur në një zgjidhje të ngërçit të krijuar”, - ka bërë të ditur kreu i qeverisë. Berisha tha se “atyre që i mbahen doktrinës së ultimatumeve mund t’u them se nuk u shërben. Doktrina e ultimatumeve është një doktrinë e papajtueshme me dialogun, është doktrinë e papajtueshme me kompromisin. Duhet ta studiojnë mirë politikën dhe të shohin se kur hyjnë në fuqi ultimatumet dhe në cilat rrethana aplikohen ato”, - u shpreh kryeministri.
Komisionerët e KE-së miratojnë rekomandimin për liberalizimin e vizave për Shqipërinë
Kolegji i Komisionerëve të Bashkimit Europian miratoi dje në Bruksel rekomandimin për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën. Rekomandimi i Komisionit u miratua sipas "procedurës së shkruar". Sesilia Malmstrom është shprehur dje se edhe pse do të rekomandohet heqja e regjimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën, pritet të përfshihet një numër kushtesh të reja që këto vende duhet t’i përmbushin. Bëhet e ditur se Shqipërisë do t‘i kërkohet të plotësohet zhvillimi i një politike dhe strategjie për të mbështetur riintegrimin e të riatdhesuarve shqiptarë. Gjithashtu, të dyja shteteve do t’u kërkohet të forcojnë kapacitetin e zbatimit të ligjit dhe implementimin efikas të kuadrit ligjor për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku përfshihet dhe përcaktimi i burimeve të duhura njerëzore dhe financiare. Kushti i tretë i adresuar Tiranës ka të bëjë me zbatim me efikasitet të ligjit të ri, miratuar në 2009-n, në fushën e konfiskimit të aseteve kriminale. Pas miratimit nga Kolegji i Komisionerëve, rekomandimi do t’i kalojë për miratim Parlamentit Europian e më pas Këshillit të Ministrave të Brendshëm të BE-së për vendimin përfundimtar.
27 Maj 2010