Subashi: “Fletët e votimit nuk mund të digjen për një afat dyvjeçar”
Nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dëshira Subashi, ka sqaruar në një prononcim për mediat se neni 178 i Kodit Zgjedhor parashikon një afat 2-vjeçar për arkivimin e materialeve zgjedhore, afat i cili korrespondon dhe me kohën kur KQZ-ja mund të mbajë në ambientet e saj kutitë e votimit pa i asgjësuar. Për ta ilustruar, Subashi ka sjellë në vëmendje dy precedentë, ku sipas saj, kutitë e materialeve zgjedhore janë hapur dhe fletët e votimit nuk kanë pësuar asgjë. Subashi i referohet 18 nëntorit të vitit 2005, kur materialet zgjedhore u këqyrën nga komisioni hetimor parlamentar i kohës dhe më 2009-n, kur Prokuroria e Fierit hapi kutitë e Ruzhdies dhe në të dyja këto raste fletët e votimit nuk u dogjën. “Kjo praktikë ka ndodhur në vitin 2005. U ngrit një komision hetimor parlamentar. Është operuar me hapjen e kutive të materialeve zgjedhore dhe janë vënë në dispozicion materialet e kërkuara nga komisioni hetimor parlamentar. Sigurisht që kjo vendimmarrje nuk ka përcaktuar në të njëjtën kohë edhe vendimmarrjen tjetër që parashikon neni 178 i Kodit Zgjedhor, i cili është identik edhe me Kodin Zgjedhor të vitit 2005 në këtë pjesë”, - tha Subashi.
Partia Socialiste shpreh keqardhje për incidentin e provokuar të hënën në Kuvend
Zëdhënësja e Partisë Socialiste, Armela Imeraj, ka reaguar dje ndaj incidentit të ndodhur të hënën në Kuvend mes deputetit të PS-së, Tom Doshi dhe deputetit të PD-së, Gent Strazimiri. “Në emër të kryetarit Edi Rama shpreh të gjithë keqardhjen për insinuatat e turpshme të një zëdhënësi të Sali Berishës lidhur me incidentin e provokuar në Kuvend nga një deputet po ashtu i Sali Berishës”, - u shpreh Imeraj. Sipas saj, ajo çfarë është parë e dëgjuar publikisht në sensin negativ nga seanca e shkuar e Kuvendit është qëndrimi primitiv dhe fjalori i rrugëve që portretizon folësit e Sali Berishës. “Berisha duhet të kuptojë se qëllimi nuk justifikon mjetin dhe as arroganca e pushtetit nuk ia zgjidh dot atij sikletin”, - tha Imeraj, duke theksuar se “apeli i kryetarit të Partisë Socialiste për kryeministrin është: të ecim në rrugën e arsyes, sepse rruga qorre e luftës me opozitën vetëm e thellon krizën qeverisëse në dëm të vendit”.
27 Maj 2010