Ekspertët e BE-së takojnë ambasadorët, Berishën dhe Ramën
Eljona Ballhysa
Ashtu sikurse u tha pas darkës së Strasburgut, mbërritën dje në Tiranë ekspertët e lartë të Bashkimit Europian, të cilët do të ndihmojnë politikën shqiptare të gjejë një zgjidhje konsensuale për krizën politike. Ata kanë mbërritur rreth orës 15 e 30 në aeroportin “Nënë Tereza”, ku janë pritur nga ambasadori i KE-së në Tiranë, Helmut Lohan. Më pas, delegacioni që përbëhet nga 4 ekspertë, konkretisht nga zëvendësshefja e kabinetit të komisionerit për Zgjerimin e BE-së, Shtefan Fyle, Jana Katarina Loliç Shindelkova, një përfaqësues i Këshillit të Europës, si dhe përfaqësues të dy grupeve të mëdha politike në Parlamentin Europian, takimin e parë e kanë zhvilluar dje në Tiranë me grupin e ambasadorëve të vendeve të BE-së, si dhe me ambasadorin e SHBA-ve. Të pranishëm në takim kanë qenë ambasadori Lohan, ambasadori i OSBE-së, Bosh, ai i Gjermanisë Borchard, ambasadori i Spanjës, Montobio, si dhe ambasadori i SHBA-ve, Withers. Pas takimit, ekspertët dhe ambasadorët refuzuan të jepnin detaje për median, madje edhe axhenda e takimeve të ekspertëve u mbajt e fshehur. Por fill pas takimit me ambasadorët, nga ku morën mbështetje për të nxitur partitë politike për të arritur një marrëveshje, delegacioni i ekspertëve të BE-së iu drejtua zyrës së kryeministrit Berisha. Takimi me Berishën nisi rreth orës 7 të mbrëmjes së djeshme dhe pas tij delegacioni zhvilloi takimin me liderin e opozitës, Edi Rama.
Negociatat
Nga këto takime u bë e ditur se së pari delegacioni i ekspertëve është njohur me qëndrimet e të dyja partive politike. Ata kanë marrë informacion për mënyrën e zgjidhjeve që ofrojnë të dyja partitë. Ndërkaq, si PS-ja, ashtu dhe PD-ja kanë paraqitur propozime për mënyrën e zgjidhjes së krizës, duke i njohur ekspertët për pikat që mund të lëshojnë dhe pikat që janë të panegociueshme. Mësohet se delegacioni nuk kishte përgatitur asnjë draft konkret, por vetëm sugjerime për palët. Pas takimit me Berishën ata kanë zhvilluar një takim me kryetarin e Partisë Socialiste. Takimi është zhvilluar në hotel “Sheraton”. Mësohet se takimi i fundit i delegacionit pritet të mbahet me ekspertët ligjorë të të dyja partive. Madje mësohet se në Tiranë do të vijë dhe një përfaqësues ligjor i Komisionit të Venecias, i cili do të asistojë në diskutimet teknike ligjore.
27 Maj 2010