E Diel, 1 Nëntor 2026

Misioni i Kadri Hazbiut në Sofje: Enveri kërkon divorcin me Zdravçevin

 ...Vijon nga numri i kaluarNga qelitë e UDB-së, në auditorët e Sofjes për tu diplomuar juriste, pastaj në Tiranë, prokurore përballë diversantëve dhe pjesëtarëve të bandave! Rrëfimi i Agllai Zotos publikuar në numrin e djeshëm të gazetës, veç këtij “shtegtimi” që i përket fillimit të viteve 50, zbulon pjesën më interesante të jetëshkrimit të saj, ku një vend të veçantë zë martesa dhe divorci me prokurorin bullgar Dhimitër Zdravçevi. Në të dyja rastet, kujton Agllaia, përcaktues ishte Enveri, i cili bekoi i pari këtë lidhe dhe po i pari urdhëroi prishjen e saj kur u prishëm me Moskën. Sakaq, gruaja që ndau jetën midis Sofjes dhe Tiranës veçon përjetimet nga vitet kur ushtroi detyrën e Zëvendësministres së Drejtësisë së Bullgarisë. Rebelimi për padrejtësitë e regjimit, pas shkarkimit nga funksioni, do ti kushtonte një kalvar të tërë vuajtjesh e persekucioni. Ndëshkimin së pari do ta merrte në zyrën e kryetarit të shtetit, i cili me dy fjalë “do ta presim gjuhën”, e shpalli zyrtarisht të padëshirueshme dhe të rrezikshme. Në vijim Agllaia Zoto tregon   mënyrën si u kryqëzua nga shërbimet sekrete dhe KGB-ja të cilat e gjurmonin për ta risjellë në Sofje ku ishte dënuar me pushkatim...President Zivkovi më kërkoi teserën e Parisë, por unë kundërshtova dhe i thashë se do ta dorëzoja ku e kisha marrë. Po atë ditë më thirrën në Komitetin e Partisë dhe më kërkuan të njëjtën gjë duke mu hakërryer me fjalë nga më të çuditshmet “armike e popullit”, “e padëshirueshme”, “e rrezikshme” etj. E pa dëshirueshme dhe e rrezikshme nuk jam unë, u thashë, por juve që keni devijuar nga premtimet që i keni dhënë popullit gjatë luftës nacionalçlirimtare dhe në fillimet e pushtetit popullor. Ju e keni kthyer sistemin, të tmerrshëm, agresiv dhe brutal më keq se fashizmi. Hodha teserën e partisë mbi tavolinë dhe u largova e indinjuar...Ndërkohë çfarë ndodhte në familjen tuaj?Kishte ndodhur divorci i madh i Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik. Tirana turmetonte me të madhe luftën ndaj vendeve satelite të Moskës ku përfshihej dhe Bullgaria e cila kishte mbështetur qëndrimet e Hrushovit. Në këtë periudhë, me porosi të Enverit erdhi dy herë në Sofje Kadri Hazbiu dhe më kërkonte me ngut të ndahesha me Dhimitrin që mos të konsiderohesha revizioniste. Ishte diçka dramatike. Refuzimi, sipas logjikës së regjimit do të thoshte goditje fatale jo vetëm për mua. Do të thoshte burg për nënën, vëllezërit, internim deri te gjenerata e shtatë e të afërmve. Veç Kadri Hazbiut erdhi me këtë mesazh në Sofje dhe Aleko Sheti një kushëri ynë që ishte funksionar i lart i Ministrisë së Jashtme...Deri në momentin që u kërcënoi Zhivkovi, kishit ardhur ndonjëherë në Shqipëri?Në Tiranë erdhëm në muajin e mjaltit, pasi kishim kaluar në të gjitha kryeqytet e Evropës. Erdhëm nga Greqia. Kur mbërritëm, na thirrën në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe na qortuan pse kishim takuar në Athinë dajon tim, vëllain e Uranisë. Kjo e revoltoi shumë tim shoq Dhimitrin dhe aty për aty shpërtheu me zemrat: “Kush jeni ju që na kërkoni llogari nga do shkojmë e kë do takojmë?! Unë shkoj ku të dua e takohem me kë dua! Vetëm regjimet fashiste mund të sillen kështu!”A ndikoi presioni i liderëve të Tiranës për tu divorcuar me Dhimitrin?Unë u ndava me bashkëshortin, por nuk ishte vetëm kjo arsyeja e divorcit. Ishte momenti kur dhe marrëdhëniet shtetërore ishin futur në krizë të thellë. Pastaj unë isha shpallur zyrtarisht e rrezikshme dhe e padëshiruar në Bullgari. Më lehtë bëja punë propagandistike në regjimin fashist e nazist se në regjimin komunist të Sofjes. Aty ishte instaluar një diktaturë krejtësisht çnjerëzore...Kjo u shtyu të jepnit dorëheqjen përpara Prokurorit të Përgjithshëm?Nuk bëhet fjalë për një dorëheqje në kushte normale. Ishte si të thuash diçka e detyruar, e imponuar forcërisht. Një ditë më thirri Prokurori i Përgjithshëm i cili e kishte bërë gati letrën e dorëheqjes dhe ma zgjati ta firmosja. Ky me sa dukej ishte një ritual krejt formal. Teksa priste të nënshkruaja dokumentin ogurzi, prokurori më sqaroi se po të kundërshtoja dorëheqjen me vullnetin tim, do më përjashtonin zyrtarisht nga detyra dhe kjo do të shoqërohej me pasoja të rënda, çka parashikonte se në këtë rast nuk do të gjeja punë as për të pastruar shkallët e pallateve. Shkurt, nuk mbetej gjë tjetër vetëm të pranoja zgjidhjen e ofruar. Me dorën që më dridhej hodha firmën në letrën që më ofroi Prokurori dhe u largova. Ika që aty e dërrmuar, por nuk dija ku të shkoja. Një moment thashë të shkojë për tu qetësuar në Novazagora te shoqja ime e ngushtë Sllavka Jani e cila ishte drejtoreshë e Muzeut Historik Kombëtar të Bullgarisë. Mora makinën dhe u nisa. Pas 120 kilometrave rrugë ndalova para portës së saj. Kur po i bija ziles për tu futur brenda, më zunë me forcë për krahu dy burra dhe më urdhëruan të shkoj me ta. I pyeta kush ishin dhe ata më nxorën dokumentin e Policisë Sekrete pa fol. Sakaq më morën në makinën e tyre dhe bashkë me ta shkuam te shtëpia ime. Aty më kërkuan t’i qerasja. U hodha pijen që kisha. Mora një gotë dhe për vete. Një moment njëri kërkoi ujë dhe u çova. Kur u ktheva në gotën time diçka kishin hedhur dhe sa e vura në buzë rashë përdhe. Nga ai çast nuk mbaj mënd gjë. Të nesërmen e shoh veten në një nga dhomat e çmendinës, ku kishte dhe disa të tjerë, kryesisht opozitar të ndëshkuar të regjimit. Mbaj mënd që më jepnin ilaçe me grusht dhe me impononin që ti pija me zor. Më hapnin gojën me forcë dhe më hidhnin ujë në fyt duke më mbajtur në këmbë deri sa i kaloja poshtë. Herë pas here më merrnin dhe më çonin në një bodrum që ishte dy kate më poshtë dhe aty më lidhnin këmbë e duar. Sakaq nuk vononte dhe vinin dy bullgare që fillonin me rrebeshin e sharjeve “Armike e Popullit”, “Tradhtare”, “Shtrigë e shitur” duke më qëlluar me çfarë të mundnin. Orë të tëra kalonin kështu nën një torturë të tmerrshme. Pastaj më merrnin zvarrë e më çonin në dhomë. Kanë qenë ditë e net ferri ato që edhe varrit kam për t’ja treguar. Po e keqja nuk mbyllej këtu. Pas këtij kalvari, erdhi radha për të më bërë kafshë eksperimentale për auditorët e bluzave të bardha. Më merrnin me forcë dhe më shpinin në fakultetin e mjekësisë, më vinin përballë studentëve dhe profesorëve të psikiatrisë dhe më fusnin nga goja ca ilaçe të provuara rishtas te miqtë dhe kafshët e tjera. Qëndroja e ngrirë në karrige sa fillonte efekti i tyre. Pastaj profesorët afronin aty studentët dhe flisnin për to duke vëzhguar nga afër reagimet e mija. Një tmerr i jashtëzakonshëm. Një tjetërsim njerëzor i paimagjinueshëm. Do kalonin kështu seanca pa mbarim. Do vazhdonte kjo histori pa ndërprerje rreth një vit. Ndoshta do të kalonte më tej, po deshi fati dhe shpëtova krejt rastësisht...çfarë ndodhi?Gjatë seancave që bënim në auditorin e fakultetit të mjekësisë, një ditë më njohu njëri nga profesorët e psikiatrisë. Ai e kuptoi lojën që ishte bërë dhe organizoi largimin tim nga ky ferr. Madje mundësoi dhe largimin tim në Francë. “Shko aty, më tha dhe dëshmoi Perëndimit skëterrën e Lindjes...Ndërkaq mbërritët në Francë...Qysh në fillim u vendosa në Paris. Shkova te avokati i njohur Pjer Kalor, i cili ishte anëtar i Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Francës dhe njëri nga avokatët e Nelson Mandelës. Duke i kërkuar ndihmë, i shpjegova arsyet pse kërkoja të sistemohesha aty, duke u përqendruar kryesisht në rrethanat e divorcit me burrin, gjë që ishte e vërtetë, por jo arsyeja kryesore e largimit tim nga Bullgaria. Me ndihmën e Pjer Kalorit mund të vë në vijë çështjen e dokumenteve. Fillova të integrohem në jetën e Parisit. Pasi mora veten nga vuajtjet e çmendinës, nisa nga puna për të pasqyruar skëterrën e vendeve totalitare të Ballkanit. Bëra intervista në Radio, në Televizion, shkrova libra. Kryemesazhi i tyre: denoncimi i diktaturës së regjimeve komuniste të Ballkanit. Në një kohë të shkurtër botova shtatë libra me këtë temë. Jehona e tyre ishte e madhe sidomos në opinionin francez.Ndërkaq, mjaft syresh kishin rënë dhe në dorën e zbulimeve sekrete bullgare të cilat bashkë me KGB-në ishin vënë në gjurmimin tim dhe ishin përfshirë në misionin për të më rikthyer në Sofje ku më kishin dënuar në mungesë me vdekje për veprimtari antikomuniste antibullgare. Pikërisht për tu mbrojtur nga këto tentativa kisha kërkuar mbrojtjen e Ministrisë së Brendshme të Francës A e keni ndjerë veprimtarinë e shërbimeve sekrete gjatë kohës që ishit në Paris?Gati çdo ditë ndjehesha e ndjekur dhe e gjurmuar prej tyre. Një darkë, teksa kthehesha në shtëpi pas një takimi ndërkombëtar në Odeon ku isha ftuar nga Sekretari i Përgjithshëm Ilva Lutirner (profesor filozofie në Sorbon) konstatova se banesa ime ishte kontrolluar dhe gjithçka në të ishte bërë rrëmujë. Atëherë banoja në Ruidesen, në rrugën e Senes Nr 32 kati i shtatë që ishte dhe kati i fundit. Agjentët e KGB-së ishin futur nga lart, dhe gjatë zbritjes kishin rrëzuar dhe kundrabufenë duke lëshuar përtokë xhama, filxhanë, pjata e gjithçka tjetër që ishte në të. E kuptova menjëherë qëllimin e plaçkitjes. Gjithsesi, operacioni kishte qenë pa pasoja. Po raste të tilla kam përjetuar me dhjetëra. Unë e dija që më ndiqnin. Në kofidencë Kryetari i Gjykatës së Lartë të Bullgarisë më kishte njoftuar se në Sofje më kishin dënuar me vdekje në mungesë...Policia sekrete bullgare dhe KGB-ja kanë kërkuar që...Që të më kthejnë në Bullgari dhe me këto prova, me këto botime, me këto foto kamera të më dënonin me vdekje. Pra materiali ishte i bollshëm, madje nuk kishte nevojë për kaq shumë. Me gjysmë e veprimtarisë që kisha konsumuar, e përligjja sipas logjikës së ligjit të tyre dënimin maksimal. Në atë periudhë, siç e thashë botimet e mia bënë jehonë të madhe në Paris. Mjaft profesor të shquar shkruanin atëherë se shkrimet e Agllaia Zotos kanë një vlerë të veçantë edhe nga fakti që ajo kritikon zbatimin e keq dhe jo të drejt të filozofisë së socializmit, por jo ideologjinë, sepse vazhdon të aspirojë një shoqëri njerëzore humane dhe të drejt. Po të më pyesësh sot se a e do atë regjim, unë do të thosha: Kurrë ashtu si ka qenë. Asnjëherë shoqëria njerëzore mos provoftë një skëterrë të tillë! Premtuam shumë në fillimet tona ne ish partizanët e ish komunistët, por një vrimë në ujë u bë.Kjo veprimtari krijuese në Paris ju dha mundësinë për tu njohur me shumë personalitete franceze...Do të veçoja këtu njohjen me Pjer Kaldor, një figurë e shquar kjo e Francës së asaj periudhe. Miqësia me të do më shtonte të tjerë shokë e miq të fushës së kulturës, të artit e të shkencës.Mbështetja dhe inkurajimi i tyre ka qenë shumë e madhe. Prej saj jo vetëm që kam përfituar shumë nga ana profesionale e krijuese, por kam marrë dhe shumë vlerësime nga institucione prestigjioze. Kështu në vitin 1975 jam dekoruar me medalje argjendi si grua simbol për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe paqen botërore. Ishte në nderin tim që këtë dekoratë ma dorëzoi artisti me famë botërore Zhan Gobel. Medaljen e dytë e kam marrë nga Fondacioni “Pro Patria”. Sakaq kam marrë dhe një medalje të tretë të cilën ma ka dorëzuar prefekti i Athinës. Po këto nuk janë të vetmet dekorata. Gjashtë të tilla i kam marrë për kontributin gjatë viteve të luftës. Nejse. Le të vazhdojmë për përkrahjen që më kanë dhënë personalitetet franceze. Me mbështetjen e një gruaje të shquar e cila ishte anëtare e KQ të Francës dhe kryetare e sindikatave franceze jam njohur me Miteranin. Jam takuar me të disa herë, bile deri vonë kam pasur dhe korrespodencë me letra. Një nga letrat e tij e kam botuar dhe në librin tim të fundit...Si e siguronit jetesën në Paris?Përveç mbështetjes nga Pjer Kaldor nëpërmjet të cilës siguroja një rogë mujore, merresha edhe me përkthime, Fakti që dija shtatë gjuhë të huaja, më jepte avantazh jo të vogël në këtë punë. Një nga prokurimet e mija të asaj periudhe ishte njohja e mënyrës së jetesës së aristokracisë franceze. Shkova një ditë te katedralja Madalena. Në qendër të saj pashë në tavolinë një grua që shkruante pa e çuar kokën. Rreth e qark saj ishin me dhjetëra gra të tjera. Një moment u bëra kurjoze dhe u afrova te gruaja që shkruante në bllok. E pyeta çfarë bënte dhe mu përgjigj aty për aty: Unë jam përgjegjëse e gjithë atyre grave që kanë nevojë për një këshillë, për një përkrahje, për ndihmë morale. Mblidhemi këtu dhe pastaj shkojmë dhe pimë ndonjë çaj. Po, ju më pyeti ajo cila jeni. Sakaq i thashë diçka mbi personin tim, Ju qenkeni shumë interesante, më tha dhe më ftoi të nesërmen në shtëpi. Shtëpinë e kishte në Zhamizhel, afër banesës time. I kërkova të më ndihmonte për të kontaktuar me gratë aristokrate dhe ajo më premtoi pa hezituar. Do të të njohë unë, tha me disa mikesha të mija, disa janë nga familja mbretërore franceze dhe disa nga princeshat bjelloruse që jetojnë në Paris prej vitesh. Që të nesërmen më njohu me dy të tilla. Unë e pata të vështirë të punoja për to, pasi vetëm procesin e hekurosjes mund të bëja në banesat e tyre dhe asgjë tjetër...vijon nesër...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›