Kompanitë e Sigurimeve:Tatimet të na heqin detyrimin për kasat
Kompanitë e Sigurimit i kanë kërkuar Drejtorit të Tatimeve heqjen e detyrimit për pajisjen me kasa të shoqërive të sigurimit. Një akt i tillë nga tatimet duket i habitshëm, pasi dihet që Shoqëritë e Sigurimit janë institucione financiare, të cilat të gjitha veprimet e tyre i kryejnë me sistemin bankar. Sidoqoftë, tatimet i kanë bërë pjesë të ligjit të ri për kasat edhe këto biznese, dhe kanë filluar të kërkojnë penalizime në rastet kur kompanitë nuk i kanë vendosur. Në takimin e djeshëm me drejtorin Papajani, ky ishte ankimi i parë, i Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë. Sipas të dhënave, nga vetë shoqata, të gjitha transaksionet e aktivitetit të sigurimeve kryhen nëpërmjet bankave të nivelit të dytë. Kontratat e sigurimit të detyrueshëm janë miratuar dhe njihen si fatura tatimore dhe tregu i sigurimeve auditohet nga kompani audituese ndërkombëtare. Tre faktorë këto që e bëjnë jo të nevojshme praninë e kasave në matjen e shitjeve të kompanive. Nga ana tjetër, shoqata, ka kërkuar që të njihet si shpenzim i zbritshëm komisioneve bankare që kompanitë e sigurimit i paguajnë bankave për arkëtimin e primit të sigurimit. Deri tani, edhe pse ky komision paguhej nga kompanitë, nuk njihej si shpenzim për të llogaritur fitimin. Po në zërin e shpenzimeve të zbritshme, kompanitë kanë kërkuar që edhe shpenzimet për sigurimin e jetës apo shëndetit të punonjësve të zbriten në llogaritjen e bilancit. Problem për kompanitë e sigurimit është TVSH. Në takimin e djeshëm, ata i kanë kërkuar Papajanit edhe kreditimin e TVSH-së për shpenzimet e industrisë për automjetet, duke i kategorizuar ato si mjete themelore në ushtrimin normal të aktivitetit të tyre, si dhe mosaplikimin e TVSH-së mbi komisionin e shitjeve të produkteve të sigurimit të jetës, produkte të cilat janë të përjashtuara nga TVSH. Një tjetër pikë e rëndësishme e kërkesave të siguruesve shqiptarë, ishte vendosja e detyrimit për të siguruar bizneset, të cilat punojnë në fusha të caktuara. Kompanitë i kanë kërkuar tatimeve që gjatë kontrolleve tatimore të konsiderojnë edhe detyrimin ligjor për t’u siguruar të klasave të veçanta të biznesit të përcaktuar me ligj apo akte nënligjore. Sipas njoftimit, kreu i Tatimeve, duke e cilësuar industrinë e sigurimeve si kontributorët më të mëdhenj e dinjitozë në sistemin e të ardhurave fiskale dhe së bashku me stafin që e shoqëronte u angazhuan për një trajtim korrekt e eficent të problematikës së pozuar nga industria e sigurimeve. Sipas të dhënave nga shoqata e siguruesve, 80% e produkteve të sigurimit shiten online që nga viti 2006. Kjo nismë është gjeneruar dhe investuar nga vetë industria. Të gjitha produktet e sigurimit që ofrohen aktualisht janë të miratuara dhe të kontrolluara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, institucion tek i cili raportohet online për shitjet e produkteve motorike të detyrueshme dhe në mënyrë periodike për produktet e tjera.