E Shtunë, 31 Tetor 2026

E mbijetuara hebre kthehet në vendin e shpëtimit

 Alma Mile Ajo tashmë është 87 vjeç. Koha nuk ka lënë tek ajo vetëm shenja në formë rrudhash. Kujtimet e ndjekin pas dhe tanimë ajo nuk mund t’i mbajë më për vete. T. Scarlet Epstein është vetëm një ndër mijëra, që i shpëtuan holokaustit falë mirësisë së shqiptarëve. Së bashku me dy hebrenj të tjerë, të shpëtuar nga përndjekjet e Hitlerit, Epstein, antropologe e njohur është protagoniste e një filmi dokumentar, që tregon pikërisht kalvarin e këtyre njerëzve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Titullohet “Të kthyer nga humnera” (Back from the Brink), pasi shpëtimi i saj dhe i familjes duket si një ringjallje. Për të rrëfyer historinë e saj, Epstein duhet të kthehet jo vetëm pas në kohë, por edhe në vendet nëpër të cilat ka kaluar odiseja e saj. Prej disa ditësh ndodhet në Shqipëri, në vendin të cilit “i ka borxh” jetën, e për njerëzit e të cilit do të bëjë një film. Historia e saj ngjan me ato të dhjetëra hebrenjve të tjerë, që jeta i përplasi pas brigjesh të rrezikshme, megjithatë qëlluan me fat, sepse mbijetuan dhe për këtë nuk kanë se si të mos jetë mirënjohëse. Ishte adoleshente 15-vjeçare, kur Epstein (Trude Gruenwald) e rritur në Vjenë nisi të ndihej ndryshe nga të tjerët. Përpara se të përjashtohej nga shkolla si hebre, mësuesi i saj, nazist i tha: “Ju duhet të jetoni në kanal, atij i përkisni”. Ndërsa shihte Hitlerin teksa “robëronte” qytetarët e Vjenës, Epstein gjeti mundësinë që të largohej bashkë me familjen e saj nga Austria. Për këtë shfrytëzoi miqësinë me një ambasador jugosllav, i cili organizoi kalimin e sigurt për të dhe kështu i shpëtoi “lakut” ngritur hebrenjve në Vjenë në vitin 1938. Zë fill kështu odiseja e Epstein, që do të shtrihej mes katër vendeve. Por siç e tregoi koha, ata që do të bëheshin me të vërtetë “mëshiruesit” e saj ishin vetëm shqiptarët. “Më dhanë një ‘litar shpëtimi’ që nuk do ta harroj”, thotë 87-vjeçarja. “Si refugjat hebre nga Vjena e rregullova të merrja një vizë turistike për në Jugosllavi, që i ndihmoi prindërit e mi dhe mua të arratiseshim nga persekutimi nazist. Megjithatë, kur viza skadoi, autoritetet jugosllave, të kërcënuar, ishin të detyruar të na dërgonin mbrapsht për në Austri dhe ne e dinim se çdo të thoshte kjo për ne. Kështu u përpoqëm të siguronim një tjetër vizë, por asnjë vend nuk na priti përveç Shqipërisë, që na ofroi azil. Kështu mbërritëm në Shqipëri në mesin e nëntorit të vitit 1938, kur unë isha 16 vjeç. Ishim atje kur Musolini pushtoi Shqipërinë dhe u frikësuam se ne, një grup i vogël refugjatësh do të dërgoheshim te nazistët gjermanë, të cilët do të na çonin bashkë me të tjerët në kampe përqendrimi. Por popullsia mike shqiptare shpëtoi jetët tona”, thotë Epstein. Largimi i saj nga Shqipëria nuk qe i lehtë. Ai u  mundësua falë ndihmës që Konsulli italian, të cilit ajo i kishte dhënë mësime gjermanishteje u siguroi një leje kalimi për në Angli. Por për të shkuar atje, duhet të kalonin përmes Gjermanisë. Në aeroportin e Këlnit, pasi iu nënshtruan kontrolleve të turpshme, mundën të shpëtonin vetëm falë rekomandimit të konsullit italian. “U largova për në Angli në fund të marsit 1939 dhe që atëherë nuk jam kthyer në Shqipëri. Tani, që jam 87 vjeç kam vendosur të realizoj një film ku do të shpreh falënderimet e refugjatëve për këta njerëz që na ndihmuan t’i mbijetonim persekutimit nazist. Do të doja që njerëzit në Shqipëri ta dinin se sa shumë e vlerësoj çfarë ata kanë bërë, duke vënë në rrezik jetën e tyre për të shpëtuar jetën tonë, të refugjatëve hebrenj”, shprehet Epstein, e cila ndërtoi jetën e saj në Angli. Ajo u bë profesore në antropologji dhe në vitin 2004 ajo meritoi urdhrin e lartë “Order of the British Empire”. Historia e Epstein shoqërohet në dokumentar edhe nga historitë e dy të shpëtuarve të tjerë. Njëri prej tyre quhet Otto Deutsch. U largua nga Vjena drejt Londrës në moshën 11-vjeçare dhe që atëherë nuk i pa më familjarët e tij. Ceská Abrahams është një tjetër dëshmitare. Për katër vjet me radhë 10-vjeçarja dhe familja e saj jetuan në një stallë derrash në Poloni, vetëm 50 metra larg kampit nazist. Këto tre histori, bazuar në kujtimet ende të gjalla të këtyre të tri personazheve shërbejnë si dëshmi të dokumentuara, që do t’u trashëgohen brezave, ndonëse dëshmitarët nuk do të jenë më. Qeveria austriake e ka konsideruar këtë film dokumentar me rëndësi të madhe arsimore dhe jep ndihmën e saj prej 8.000 eurosh për realizimin e tij, ndërkohë që edhe organizatat hebreje kanë kontribuar një shumë prej 5.950 eurosh.Histori të ngjashme Otto Deutsch ishte vetëm 11 vjeç kur në Vjenë përjetohej e ashtuquajtura “Nata e kristaltë”. Nëna e tij arriti t’i sigurojë atij një vend në një makinë transporti për ta dërguar në Angli. “Ishte një skenë prekëse e ikjes masive dhe nazistët ishin të ashpër. Kushdo që tregohej ndopak i emocionuar do të hiqej qafe. Ndërkohë nëna fshihte fytyrën nën pallton e saj dhe dëneste...”. Menjëherë pas kësaj, prindërit e tij u çuan në kampe përqendrimi dhe ai kurrë nuk i pa ata përsëri. Edhe historia e Ceská Abrahams është e ngjashme. Ajo ishte një vajzë e vogël 10 vjeçare që jetonte në Dabrowva-Tarnow, Poloni, kur u pushtuan nga ushtria gjermane. Babai i saj, një tregtar kuajsh gjeti strehë për veten “veçmas” nga familja, ndërsa Ceska, nëna e saj dhe dy vëllezërit vegjël u vendosën në shtëpinë e çiftit jo hebre Antosia dhe Jusek Wojcik. Familjes së Cêskas iu desh të gërmojë thellë nën dhe e të strehohet në një vend bashkë me derrat për të shpëtuar. “Shtëpia” e tyre e re kishte përmasat e një krevati dopio. Ata jetuan atje për katër vjet. Edhe kur shtëpia e Antosia dhe Jusek u pushtua nga gjermanët ata nuk i dorëzuan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›