E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Lushnjës, ferri ku u paraqita 10998 herë në 5 vjet

 Pandi Laço“Kur regjimin e shkela në kallo dhe fillova të denoncoj dhunën e tij, më hoqën nga detyra menjëherë dhe më përplasën në çmendinë. Madje në psikiatrinë e Sofjes më bënë kaive eksperimentale!” Përtej këtij momenti që përcakton fillim e dramës të ish prokurores së Bullgarisë me kombësi shqiptare, në numrin e djeshëm gazeta publikoi kujtimet e Agllaia Zotos nga dit-netët kur gjurmohej nga KGB-ja dhe shërbimi sekret i Sofjes për tu ekzekutuar sipas vendimit të Gjykatës Ushtarake Bullgare.  Ndërkaq, ajo çfarë ndodhi me të gjatë kohës kur jetonte në Paris dhe mbështetja që gjeti aty nga personalitetet më në zë të Francës, përbëjnë pjesën më interesante të retrospektivës së  panjohur nga opinioni shqiptar. Ndërkaq, Zoto zbulon për herë të parë mënyrën dhe rrethanat si është divorcuar me prokurorin Dhimtër Zdravçevin, duke kujtuar misionin e Kadri Hazbiut në Sofje, i cili i transmetoi urdhrin e Enverit për ndërprerjen e kësaj lidhje të bekuar prej tij...Përveç mbështetjes nga Pjer Kaldor nëpërmjet të cilës siguroja një rogë mujore, merresha edhe me përkthime, Fakti që dija shtatë gjuhë të huaja, më jepte avantazh jo të vogël në këtë punë. Një nga preokupimet e mija të asaj periudhe ishte njohja e mënyrës së jetesës së aristokracisë franceze. Shkova një ditë te katedralja Madalena. Në qendër të saj pashë në tavolinë një grua që shkruante pa e çuar kokën. Rreth e qark saj ishin me dhjetëra gra të tjera. Një moment u bëra kurjoze dhe u afrova te gruaja që shkruante në bllok. E pyeta çfarë bënte dhe mu përgjigj aty për aty: Unë jam përgjegjëse e gjithë atyre grave që kanë nevojë për një këshillë, për një përkrahje, për ndihmë morale. Mblidhemi këtu dhe pastaj shkojmë dhe pimë ndonjë çaj. Po, ju më pyeti ajo cila jeni. Sakaq i thashë diçka mbi personin tim, Ju qenkeni shumë interesante, më tha dhe më ftoi të nesërmen në shtëpi. Shtëpinë e kishte në Zhamizhel, afër banesës time. I kërkova të më ndihmonte për të kontaktuar me gratë aristokrate dhe ajo më premtoi pa hezituar. Do të njohë unë, tha me disa mikesha të mija, disa janë nga familja mbretërore franceze dhe disa nga princeshat bjelloruse që jetojnë në Paris prej vitesh. Që të nesërmen më njohu me dy të tilla. Unë e pata të vështirë të punoja për to, pasi vetëm procesin e hekurosjes mund të bëja në banesat e tyre dhe asgjë tjetër...Megjithëse u morët me krijimtari kundër regjimeve totalitare të Ballkanit, kundër Shqipërisë nuk shkruat asnjëherë. Përkundrazi me ambasadën tonë në Paris keni pasur raporte korrekte...Kisha 10 vjet që kërkoja të vija në Shqipëri. Komunikimin me njerëzit deri atëherë e mbaja vetëm me letra. Dita ditës këmbëngulja si e si të vija. Mirëpo Enveri megjithë përkrahjen e veçantë që më ka dhënë për problemet jetike që kam pasur, siç e kam shkruar në librat e mi, nuk më jepte vizë për të parë nënën që po shkonte 100 vjeçe. Madje as nënë Uranisë nuk i jepte vizë për të ardhur në Paris. I kishte kapur frika e propagandës që bëja unë në perëndim kundër regjimeve totalitare komuniste. Kishin frikë se do të shkruaja dhe për Shqipërinë. Po unë për Shqipërinë çdo gjë që shkruaja e konsultoja me shkrimtarin më të madh francez të asaj kohe Zhylbert Pyry, i cili ishte intelektual i spikatur i së majtës. Ai më thoshte se Shqipërinë e njihte shumë mirë dhe ishte mik i ngushtë i Enver Hoxhës. Bile, thoshte se kur vinte në Tiranë nuk flinte në hotel por në shtëpinë e Enverit në bllok. Në fakt unë kisha bindjen se i vetmi vend në botë që i qëndronte besnik idealeve dhe premtimeve tona të kohës së luftës nacionalçlirimtare ishte Shqipëria, kurse Shqipëria ishte burgu më i madh, regjimi më çnjerëzor, më i ashpër, më i egër, më i pamoralshëm...Më në fund e morët vizën dhe erdhët...Kjo ishte një histori më vete që më ka bërë të vuaj për shumë kohë. Si ambasadori Dhimitër Lamani dhe Javer Malua më thoshin gjithmonë se ishin të predispozuar për të më ndihmuar që të më pajisnin me vizë, por sipas tyre, nuk dihej arsyeja e vërtetë pse nuk miratohej kërkesa e tyre nga zyrtarët e Tiranës. Kur erdhi një sekretar i ri në Ambasadë, Nendret Hoxha e quanin, gjërat filluan të lëvizin për mirë. Një ditë ai më thirri dhe më tha se kërkesa ime ishte marrë parasysh. Bile më shpjegoi se nuk do më jepnin pasaportë të thjeshtë por pasaportë diplomatike për të qenë më e sigurt në lëvizjen time në drejtim të Shqipërisë. Pastaj kur më përcolli, diku afër portës më ndaloi dhe filloi të më porosis: Agllai, Shqipëria nuk është ajo që mendon ti. Ta them këtë në kofidencë për ta pasur parasysh. Kur të shkosh aty, duhet të kesh kujdes që mos të mburrësh asgjë nga Perëndimi. Nuk duhet të tregosh asnjë konsideratë pozitive për Perëndimin. E para kjo. Tjetra: Nuk duhet të kesh asnjë pretendim në fillim as për botim librash, për asgjë. Le të kalojë ca kohë dhe kur ata të shikojnë që t’i nuk je influencuar nga Perëndimi, po vazhdon të jetosh ditët e tua modeste si ish luftëtarja e dikurshme, pa shumë pretendime dhe jashtë të gjitha influencave të huaja, me siguri që kanë për të t’i ofruar të gjitha mundësitë e nevojshme. E dëgjova me shqetësim dhe aty për aty i thashë se mos jeni provokator. “Ua, ç’thua moj Agllai, unë provokator?. Qëllimi im është krejt dashamirës në mënyrë që kur të jesh aty mos të befasohesh me situatën...”. Dhe ndodhi që erdha, duke bërë realitet ëndrrën e shumë viteve, atë që e kisha dëshiruar prej kohësh. Pas gjithë atyre peripecive që kisha kaluar, mendova se mund të qetësohesha por isha gabuarPra, vendosët të vinit në Shqipëri në vitin 1978. Si u pritën?Pritja ishte e bukur, e ngrohtë, me dhurata, me lule nga miqtë dhe familjarët. Shkova te shtëpia ime në lagjen “Ali Demi”, në një apartament të mrekullueshëm ku jetonte nëna me njërin nga vëllezërit.. U kënaqa që konditat në Shqipëri ishin të mira, që nuk ekzistonin më ato shtëpitë e ulta e të ngushta. Më bëri përshtypje mobilimi i tyre me mobilie moderne si të Parisit. Kështu kaluan ditët e para, ku ndjehesha e lumtur në ngrohtësinë e miqve dhe familjarëve të mi. Në krye të tre javëve më thirrën në drejtorinë e Punëve të Brendshme. Zyrtari që më priti ishte djali i Gogo Nushit me të cilin bisedova lirisht. Duke më folur ai më komunikoi se sipas rregullit njerëzit që vijnë nga jashtë për tu riatdhesuar,(si rasti im), duhej të shkonin disa kohë jashtë Tiranës për tu ambientuar dhe pastaj të ktheheshin në kryeqytet. Mirë, i thashë, të bëhet si është rregulli zyrtar. Më tha se do të shkoja në Lushnjë. Mos më çoni aty, i thashë, pasi unë kur isha partizane kam qenë në Lushnjë, ashtu siç kam qenë dhe në Mesaplik, në Fier e në të gjitha këto zona. Do tu kërkoja të më çonit në Krujë, që është një zonë malore dhe më bën mirë për shëndetin. Do ta bënim me gjithë qejf, më tha djali i Gogo Nushit, por për njerëzit që riatdhesohen dhe duhet të  ambientohen, është përcaktuar zyrtarisht qyteti i Lushnjës. Desha nuk desha pranova. Pas një muaj erdhi dhe dokumenti me vendimin e Komitetit të Internim Dëbimeve. Si tani e mbaj mënd tekstin e tij: “Vendim Numër 11 janar 1979. Agllaia Zoto internohet në Lushnjë me detyrimin e paraqitjes tre herë në ditë në Degën e Punëve të Brendshme, në mëngjes ora 07, në drekë ora 12 dhe në darkë ora 21”.Motivacionin ma komunikuan me gojë dhe sipas tij bëhej fjalë se kisha shkruar libra dhe kisha bërë propagandë në perëndim kundra regjimit totalitar komunist. Në datën e caktuar shkova në Lushnjë. Autoritetet më sqaruan për gjithçka dhe më caktuan banesën, e cila ishte në një pallat në qendër të qytetit. Në përgjithësi kushtet ishin të mira. Po kështu dhe komshinjtë. Një pjesë të tyre, siç e mora vesh më vonë, policia sekrete i kishte porositur që të bënin kujdes për të parë se ku shkoja, me kë flisja, kush më hynte e më delte nga shtëpia etj...Si e pritët internimin ju intelektualja që vinin nga Perëndimi?U befasova. U tmerrova. Më dukej një gjë e paimagjinueshme. Po gjithsesi u pajtova...U pajtuat ndërkohë dhe me detyrimin për tu paraqitur tre herë në ditë te sporteli i policisë...Nuk kisha si të sillesha ndryshe. Kam qenë shumë korrekte me të gjitha kërkesat zyrtare. Komisari i degës, Shefqet Zerdelia, qysh ditën e parë që më thirri në zyrë dhe mu drejtua me një ton brutal: Ti armikja e popullit, në qoftë se do të vonohesh qoftë dhe tre minuta nga orari i caktuar për tu paraqitur në degë, do degdisesh në fshatrat ku mushkonjat janë sa një aeroplan. Fjala e tij ishte ligj. Ashtu dhe vetëm ashtu duhej bërë patjetër. Ky ritual përsëritej tre herë në ditë. Madje unë shkoja 5-10 minuta përpara. Kur binte shi futesha brenda në ndërtesën e policisë. Më njihnin të gjithë. Pesë vjet rresht jam paraqitur 10998 herë te sporteli i policisë. Gjatë verës dhe në ditë me diell shkoja ose me motorin e vogël ose me biçikletën time. Më problem kisha paraqitjen në mbrëmje, sidomos në dimër kur errësohej shpejt. Teksa kthehesha për të shkuar në shtëpi, më merrnin qentë nga pas, më grisnin pantallonat dhe më kafshonin nga kofshët. Ende  kam në këmbë gjurmët e dhëmbëve të qenve të Lushnjës...Si ka qenë jeta juaj gjatë viteve të internimit?Shpirtërisht e plagosur, aq sa zemra më kullonte gjak nga marazi. Ata vetëm nga dyshimi se mos shkruaja libra kundra regjimit dhe Shqipërisë, më izoluan dhe më gjurmonin gjithandej. Nuk bëhej fjalë fare për lirinë e shumë dëshiruar për të cilën kisha shkruar me mijra faqe gjatë viteve kur jetoja në Paris. Një jetë krejt tjetër bëja në Lushnjë. Aty pa frikë mund të them se përjetova ferrin e vërtetë...Ky ishte reagimi i shtetit, i regjimit ndaj jush. Po qytetarët e thjeshtë si silleshin?Kam mbresat më të mira për banorët e thjeshtë të Lushnjës. Me aq sa kishin mundësi ata e shprehnin hapur respektin dhe mirësinë ndaj meje. Veçanërisht fqinjët kishin krijuar marrëdhënie të mrekullueshme. Sa herë më shikonin në radhë në sportelet e dyqaneve(në atë kohë radhët e gjata dominonin në të gjitha objektet e  shërbimeve publike) tërhiqeshin dhe i thoshin shitëses “Jepi jepi Agllaisë, se ne presim”. Kam përjetuar një dashuri të sinqertë nga gjithë qytetarët që më njihnin. Më donin aq shumë sikur të isha deputetja e tyre...çfarë ndodhi kur mbaroi periudha pesë vjeçare e internimit?Sa mbaroi periudha pesë vjeçare e internimit që ishte me ligj, më thirri kryetari i Degës së Punëve të Brendshme. “Kemi urdhër personal nga Ministri i Punëve të Brendshme Hekuran Isai, më tha, të të komunikojmë përfundimin e kohës së izolimit dhe  të të përgëzojmë për disiplinën korrekte që ke treguar. Pesë vjet nuk je vonuar asnjë minutë në oraret e paraqitjes dhe nuk ke krijuar as më të voglin shqetësim për autoritet zyrtare dhe qytetarët e Lushnjës. Tani mund të udhëtosh pa leje nëpër Shqipëri...Prandaj lushnjarët të thoshin “Ora elektronike e qytetit”...Akoma në vesh i kam fjalët e tyre “Francezja, ora elektronike e Lushnjës”. Kjo për mua ishte sadisfaksion jo i vogël...Gjatë internimit në Lushnjë ju nuk punuat asnjë ditë, me se jetonit...Jetoja me dollarët që kisha sjellë nga Parisi. I kisha depozituar ato në bankën e shtetit dhe i merrja pjesë aq sa i lejonte rregulli i asaj kohe. Ndërkaq, shteti shumë shpejt filloi të më jap edhe pensionin e luftës si ish partizane e lëvizjes antifashiste Nacionalçlirimtare që arrinte 1000 lekë të vjetra në muaj. Këtu është edhe kontradikta e madhe e sjelljes së regjimit me mua: E dënuar politike e sistemit socialist dhe njëherazi përfituese e statusit të veteranes së luftës!...Ndërkohë kërkuat të takonit ndonjëherë Enver Hoxhën, i cili në momente të caktuara të jetës ju kishte mbështetur qoftë me bekimin e martesës, qoftë me studimet jashtë shtetit, qoftë me kurimin e nënës në Bullgari...është një kapitull më vete sjellja e Enverit me mua. Gjatë pesë viteve të izolimit i kam shkruar 2-3 letra me anën e të cilave i kërkoja një takim për ti sqaruar nga afër çështjen time. Nga Enver Hoxha nuk po më vinte asnjë lloj reagimi, deri sa aty nga mezi i periudhës së internimit më erdhi në banesë Leka Shkurti, një këshilltar i tij dhe më shpjegoi për porosinë personale të Enverit, i cili ishte interesuar për kushtet ku jetoja. Pa pritur t’i rrëfeja unë çka mendoja, Leka Shkurti, nisi ligjëratën e tij, në formë monologu: Me sa konstatojmë, tha ai, konditat i ke të mira, shtëpinë shumë të mirë, statusin e luftës e merr, nënë Urania përfiton pension nga Franca, koha e internimit po ikën, sa  ta mbarosh do vish në Tiranë...” Kaq ishte i tërë mesazhi që me sa dukej vinte nga Enveri. Më ngrohu paksa, por kjo kishte qenë thjesht një demagogji sa për të kaluar radhën...U kthyet më në fund në Tiranë...Peripecitë nuk paskëshin të mbaruar. Edhe kur mbarova periudhën pesë vjeçare të internimit, përsëri më kërkonin në Lushnjë. Dega e policisë së qytetit nuk më ndahej e nuk më lejonte të lëvizja pa lejen e saj. “ç’është kështu, u thosha, çfarë ndodh me mua”“E do ligji, e do rregullorja”, më sqaronin me ftohtësi. “Ky është terrorizëm, është marrëzi”, ua ktheja unë e indinjuar. Po ata vazhdonin në të tyre:”Ti nuk do të lëvizësh nga Lushnja, po qe se nuk të themi ne këput qafën!”...Dhe kjo deri në vitin 1990...Po, po deri në vitin 90 vazhdoi e njëjta situatë. Kur filluan të jepnin pasaportat, kërkova dhe unë ta merrja. Po kush të më dëgjonte. Trokita disa herë në degën e policisë së Lushnjës dhe fjala binte në vesh të shurdhër. Atëherë i dhashë fund durimit dhe thashë të sillem si rrugaçe. Pa pyetur për pasojat u nisa pa leje në Tiranë. I hipa një autostopi dhe u nisa. Vendosa të takoja me çdo kusht ministrin e Brendshëm, Hekuran Isain. Ishte e pa mundur t’i afrohesha zyrtarisht. Te hyrja e ministrisë policët e shërbimit as të linin të afroheshe pa le të të krijonin mundësinë të takoje Hekuran Isain. Bëra, çbëra dhe ja dhashë britmës një moment kur kaloi ai te porta. Me sa duket ai më dëgjoi dhe pyeti rojet çfarë ndodhte. Ata i raportuan përse bëhej fjalë dhe ministri i urdhëroi të më çonin në zyrën e tij. Hekurani sa i tregova historinë, ngriti telefonin dhe kërkoi kryetarin e policisë së Lushnjës. Kryetar në këtë kohë ishte një bukurosh nga Shkodra që më shikonte mua sikur të isha një terroriste botërore. Në prezencë time e urdhëroi të më jepte menjëherë pasaportën dhe si më përshëndeti u largova. Ndjeva një lloj lehtësimi dhe të nesërmen u paraqita në zyrën e kryetarit të Lushnjës. Mendova se nuk do të kishte më vështirësi, por nuk qenkej e thënë. “Po ti moj bushtër, pse e shqetëson udhëheqjen!.”, më priti ai me një zhargon të pambarimtë fyerjesh e sharjesh. E pashë që ishte e kot të flisja me të dhe e revoltuar dola jashtë duke bërtitur se do të shkoja prapë te ministri. Sakaq ai u çua në këmbë dhe më tha të merrja pasaportën që ma kishte bërë gati...Jeta juaj pati disa momente ekstreme. Ikët më në fund nga Lushnja, ku kishit një banesë dhe vendosët të shkonit në Greqi...Ishte e vetmja mundësi jetese. Shkova në Greqi te daja, vëllai i nënë Uranisë, i cili kishte emigruar aty qysh para luftës antifashiste nacionalçlirimtare. Pas 12 viteve internim e izolim që ishin në një farë mënyre një lloj burgu, mund atë prek lirinë...çfarë ndodhi ndërkohë me shtëpinë që kishit në Lushnjë?Kur kish kaluar një muaj nga dita e largimit nga Lushnja, më telefonoi njëra nga komshiet dhe më njoftoi se në shtëpinë time ishte futur komisari i policisë së kuqe duke e pronësuar  forcërisht. Ky lloj polici i tmerrshëm dhe antinjerëzor ishte konvertuar tashmë nga komunist në demokrat. Miqësitë e reja   me zyrtarët e postdiktaturës, i kishin dhënë të tjera privilegje. Sa mora informacionin, nxitova e shkova te Organizata e të Përndjekurve Politikë. U ula shtruar me bashkëvuajtësit dhe sqarova çështjen që më shqetësonte. Ata ndërhynë në rrugë institucionale dhe më siguruan një dokument zyrtar ku thuhej se shtëpia ishte marrë forcërisht nga komisari i kuq i policisë. Ishte një tjetër telash ky i banesës që më brengosi jo pak. Duart e zeza kishin rrëmbyer gjithçka që kisha në shtëpi. Vetëm kolltukun kishin mbetur. Kisha kolltukë që nuk i kishte as Ramiz Alia...çfarë ndodhi më tej...U largova përfundimisht në Greqi. Në Shqipëri nuk kishte kush të më mbante. Në Athinë jetoj në hotelin e klosharëve ku më ka sistemuar qeveria greke. është një hotel-azil i disponueshëm për endacak, ish narkomanë, ish alkoolik dhe ca pleq të vetmuar që kalojnë aty ditët e fundit të jetës. Doja shumë të isha në Atdheun tim. Kam dhënë aq sa të kem një fole në tokën time ku të këndojë për Shqipërinë...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›