E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetët marrin pushimet verore më 23 korrik

Topalli Konferenca e Kryetarëve vendos seancën e fundit të sesionit

Parlamenti mbyll siparin më 22 korrik. Konferenca e kryetarëve ka marrë dje vendimin që komisionet parlamentare të zhvillohen edhe gjatë pasditeve duke pasur një axhendë të ngjeshur për 16 ditët në vijim dhe seanca e fundit parlamentare të jetë në datën 22 korrik. Shkak për këtë duket se është bërë rikonstruksioni i sallës së Kuvendit. Për këtë arsye, 140 deputetët do të nisin pushimet në mënyrë të parakohshme për tu rikthyer sërish në vjeshtë në sallën e Kuvendit. Seanca e fundit parlamentare ishte parashikuar në datën 29 korrik. Kryetarja e Kuvendit, duke pasur parasysh axhendën e ngjeshur të kësaj periudhe propozoi intensifikimin e mbledhjeve të Komisioneve të Kuvendit edhe gjatë pasditeve, si dhe mundësinë e shtimit të numrit të seancave plenare. Do të jenë gjithsej 4 seanca dhe komisionet parlamentare do ta shtrijnë veprimtarinë e tyre edhe gjatë pasditeve. Pavarësisht se kryetarja Topalli ka shpallur se do ketë seanca intensive që do punojnë me akord, kalendari nuk premton mbylljen e të gjithë programit të punës që janë përfshirë ligjet me 3/5 e votave. Opozita nuk e ka dhënë akordin e saj politik për miratimin e tyre dhe mazhoranca është ‘dorëzuar’, duke i hequr ato nga kalendari i punimeve. Në kalendarin tre javor të punimeve të Kuvendit për periudhën 5 korrik-22 korrik janë hequr ligjet që kërkojnë 3/5 e votave të Kuvendit. Konferenca e Kryetarëve u mblodh në drejtimin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ku morën pjesë Kryetari i Grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, Kryetari i Grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi dhe Nënkryetarët e Kuvendit, Namik Dokle dhe Nasip Naço. Në njoftimin e faqes zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë thuhet se Konferenca e Kryetarëve do të diskutojë sërish kalendarin, përpara mbledhjes së seancës plenare të ditës së enjte. Në katër seancat e fundit pritet të votohet për dekretet e Presidentit Bamir Topi për Gjykatën e Lartë, për zgjedhjen e anëtarëve të bordit të Institutit të Studimit për krimin dhe Pasojat e Komunizmit, projektligji për pajisjen e shtetasve me pasaportë për jashtë shtetit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›