Topalli përfiton 1.6 milionë lekë si e përndjekur
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka arritur të fitojë rreth 4 milionë e 700 mijë lekë përgjatë vitit, duke arritur që për vitin 2009 të jetë politikania e cila ka fituar më shumë. Në deklaratën e pasurisë të depozituar në datë 19 mars pranë ILDKP-së, Topalli thekson se ka arritur të përfitojë nga paga dhe shpërblimet si kryeparlamentare, një shumë prej 3.114.910 lekësh për vitin e kaluar. Nga ana tjetër, Jozefina Topalli thekson se ka arritur të përfitojë edhe një shumë prej 1.600.000 lekësh si shpërblim nga kompensimi që familja e saj ka marrë duke e qenë e përndjekur politike. Në deklaratën e saj, Topalli thekson se në vitin 2009, i ka blerë vajzës së saj, Margerita Topallit, një tokë-arë në fshatin Baks-Rrjoll në Velipojë me vlerë 1.000.000 lekë. Po kështu, në lidhje me vajzën e saj, Topalli deklaron se i ka paguar 800.000 lekë për ndjekjen e shkollimit në Strasburg të Francës. Nga ana tjetër, Topalli deklaron edhe të ardhurat e bashkëshortit të saj, duke theksuar se Ndoc Topalli ka përfituar për 2009-n, 13.000 euro nga qiratë e pronave të tij dhe po kështu, 640.000 lekë nga puna si noter.
#