E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia rrugore, me radarë që fotografojnë targën

Me strukturën e re, njësia e kontrollit të autostradave mund të identifikojë shkeljet edhe kur nuk është aty ku ndodh

Thyerja e rregullave të qarkullimit rrugor tashmë do të filmohet dhe fotografohet edhe nëse punonjësi i policisë nuk do të jetë aty. Kjo bëhet e mundur nga një sistem i ri i vënë në funksion prej strukturave të reja të policisë rrugore, pikërisht nga njësia e kontrollit të autostradave. Ministri i Brendshëm përuroi dhe inspektoi dje këtë qendër, ku u informua nga drejtuesit e njësisë dhe pa nga afër funksionimin e sistemit Scout, një sistem modern i integruar, që mundëson fotografimin, filmimin dhe transmetimin online të informacionit në sallën e komandimit. Ky sistem identifikon shkelësit e rregullave në trafik, mospaguesit e gjobave, makinat e vjedhura, vetëm duke fiksuar targën. Informacioni përpunohet në Qendrën e Përpunimit të Informacionit në njësinë e kontrollit të autostradave, ku gjenden bazat e të dhënave mbi gjobat dhe targat e automjeteve, procesverbalet e konstatimit në vlerë dhe masë plotësuese, e ku kryhet gjithashtu edhe përpunimi statistikor i të dhënave. “Kjo njësi, e cila e ka shtrirë këtë shërbim nga jugu në veri, me kapacitetet e saj profesionale do të vijë në ndihmë të çdo njësie territoriale të policisë rrugore sipas nevojës, ku ka trafik të jashtëzakonshëm, sikurse është ai gjatë sezonit turistik, apo kur ka probleme të veçanta me trafikun, sikurse është ai i punimeve të fundit që po bën Bashkia e Tiranës. Pra, kudo ku ka probleme, kjo njësi do të ndërhyjë për t’i ardhur në ndihmë Komisariatit të Policisë Rrugore, që mbulon atë territor”, u shpreh ministri Basha. Duke garantuar se qeveria do të vijojë mbështetjen me investime për Policinë e Shtetit, Basha paralajmëroi se krijimi dhe funksionimi i kësaj njësie është vetëm një hap në drejtim të dixhitalizimit të mëtejshëm të shërbimit të policisë rrugore dhe përmirësimit të këtij shërbimi. “Shpreh bindjen se kjo masë, e cila bën pjesë në një strategji të Policisë së Shtetit për të dhënë kontributin e saj në uljen e aksidenteve dhe fataliteteve në rrugët e Shqipërisë, do të japë efektet e duhura, duke zvogëluar aksidentet në trafik, duke rritur ndjeshmërinë e qytetarëve, përgjegjshmërinë e tyre për sjelljen në rrugë, dhe duke përmirësuar statistikat lidhur me humbjen e jetëve apo plagosjen e tyre në rastet e aksidenteve rrugore”, theksoi ministri Basha. Njësia e kontrollit të autostradave është e pajisur me tetë radarë modernë, të cilët brenda një minute bëjnë të mundur identifikimin e pesë ose gjashtë automjeteve shkelëse të rregullave të trafikut. Sistemi i saj i kontrollit kryen në mënyrë automatike identifikimin e shkelësit dhe dërgimin e masës sipas Kodit Rrugor çka bën të mundur transparencën e plotë të këtij shërbimi dhe shmangien e çdo tjetërsimi të të dhënave të konstatuara nga Policia Rrugore.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›