E Diel, 1 Nëntor 2026

Borxhi ndaj MEICO-s u pagua dy ditë pas tragjedisë

Ish-ekonomistja e “Albademil”, dëshmi të rëndësishme për financat, pagesat dhe punën e zezë në Gërdec

Seanca e 66 e procesit më të bujshëm ka nisur dje në mëngjes me pyetjen e dëshmitarëve të thirrur nga akuza. Procesi rinisi pas shtyrjeve për mosparaqitjen e avokatëve mbrojtës, apo dhe lajmërimin e dëshmitarëve të kërkuar nga prokuroria. Në seancë dëshmia më e rëndësishme ishte ajo e ish-ekonomistes së kompanisë “Albademil”, e cila merrej me demontimin e municioneve luftarake në fabrikën e Gërdecit. Ish-ekonomistja dëshmoi fakte të rëndësishme për aktivitetin e kompanisë dhe presidentit të saj Mihal Delijorgji. “Kam qenë e punësuar në shoqërinë ‘Albademil’ si ekonomiste me kohë të pjesshme. ‘Albademil’ është krijuar në maj 2007, e përbërë nga dy ortakë dhe njëkohësisht të dy administratorë. Minxolli ishte drejtor i fabrikës së demontimit. Puna konkrete që bëja ishte pagesa e punonjësve. Shkoja çdo muaj në Gërdec. Listëpagesat i bëja në prezencë të Dritan Minxollit. Kisha zyrën time në Gërdec. Mihal Delijorgjin e njoh. Të gjitha pagesat firmoseshin prej tij.

Bëhet fjalë për ato pagesa të sigurimeve shoqërore. Pagesat e sigurimeve kanë ndryshuar herë pas here. Ditën e ngjarjes kam qenë në zyrat në Tiranë në ‘Park Construksion Albania’. Më ka marrë në telefon amerikani Rod, por meqë s’jam perfekte në anglisht s’po e kuptoja mirë. Dëgjova Mihalin në zyrën ngjitur që po fliste në telefon dhe i tha ‘hapi dyert e largo punëtorët sa më larg’. Doli në korridor dhe tha se kishte rënë zjarr në Gërdec dhe po ikte...”, ka deklaruar që në fillim të seancës dëshmitarja Valbona Lloha, ish-ekonomistja e kompanisë “Albademil”.

Në deklarimin e saj, Lloha ka shpjeguar se dy ditë pas shpërthimit kishte derdhur 400 mijë dollarë në llogarinë e MEICO-s, borxh që kompania e demontimit ia kishte kësaj të fundit që nga viti 2007, por që nuk shkuan në këtë llogari për shkak të bllokimit nga policia. “Dy ditë pasi kishte ndodhur shpërthimi, në cilësinë e ekonomistes kam derdhur në llogari të kompanisë MEICO një shumë prej 400 mijë dollarësh, shumë kjo që ‘Albademil’ i detyrohej MEICO-s për blerjen e fishekëve, të cilët më pas demontoheshin në Gërdec. Shuma kishte mbetur e palikuiduar që nga viti 2007. Atë ditë do të kryeja edhe pagesën e sigurimeve shoqërore, por se bëra dot, pasi oficerët e policisë gjyqësore më morën për të më pyetur lidhur me ngjarjen”, shpjegoi Valbona Lloha, ish-ekonomistja e “Albademil”. Sipas saj, për t’ju shmangur penaliteteve të tjera, Delijorgji ka derdhur këtë shumë me qëllim mbylljen e të gjitha likuiditeteve dhe detyrimeve ndaj MEICO-s dhe institucioneve të tjera shtetërore. Dëshmitarja deklaroi se kjo shumë ishte fatura që nuk i ishte paguar në kohë MEICO-s dhe Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa pas tragjedisë, duke parandier zbulimin e këtij fakti, Mihal Delijorgji kishte urdhëruar që pagesa të bëhej në mënyrë që gjithçka të ishte në rregull me detyrimet ndaj shtetit. Në fakt Mihal Delijorgji nuk kishte derdhur asnjë qindarkë në arkën e shtetit, me urdhër të MEICO-s, Ministrisë së Mbrojtjes, kompania e tij në Gërdec është furnizuar me municione për me tepër se një vit.
Ish-ekonomistja, e pyetur nga prokurorët, ka folur edhe për numrin real të punëtorëve që punonin në demontim, pasi vetë një pjesë e tyre ishte deklaruar.

“Nga 160 punonjës gjithsej, vetëm 37 prej tyre ishin të siguruar, ndërsa pjesa tjetër punonte në të zezë”, u shpreh ish-ekonomistja e “Albademil”, firma që krijoi fabrikën e demontimit në Gërdec, nga shpërthimi i së cilës, më 15 mars 2008, humbën jetën 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u plagosën.
Po kështu, ekonomistja tha se pas tragjedisë, Mihal Delijorgji i kishte kërkuar të bënte sigurimin e të gjithë punonjësve që të figuronte i rregullt ligjërisht gjatë hetimit, por bllokimi i vulës dhe i dokumenteve nga policia e prokuroria e kishte penguar në kryerjen e këtij veprimi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›