E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministrat, Tafaj më i pasuri, Meta më i varfri

E dyta në listë është ministrja Bregu që përfiton nga rroga e bashkëshortit

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka zbardhur pasurinë e vitit 2009 për 15 ministrat e kabinetit “Berisha”. Ministri me të ardhurat më të larta vjetore është kreu i dikasterit të Arsimit, Myqerem Tafaj. Ministri i Arsimit dhe Shkencës ka një pagesë vjetore së bashku me bashkëshorten e tij që kapin një vlerë të konvertuar në monedhën shqiptare prej 8.988.835 lekësh. Pagesa si ish-këshilltar i Kryeministrit Berisha, pagesa si ministër i Arsimit dhe pagesa e bashkëshortes së tij, si kërkuese shkencore në Shtutgard prej 42.800 euro e rendit ministrin Tafaj si ministrin më të pasur për vitin 2009 në kabinetin “Berisha”. Në vendin e dytë është ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila renditet në këtë pozicion falë pagesës së bashkëshortit të saj, i cili merr në vit 52 mijë euro. Pjesa tjetër e ministrave nuk e kalojnë vlerën e 4 milionë lekëve në vit. I treti në listën e më të paguarve për vitin e kaluar është ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Fatmir Mediu, rroga e të cilit së bashku me bashkëshorten kap vlerën e 3.928.984 lekëve. Në vendin e katërt është ministri i Brendshëm Lulzim Basha me një vlerë vjetore prej 3.186.765 lekëve.

Pasuria

Ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë, Genc Pollo, ka pakësuar në llogarinë e tij bankare 2006 euro dhe ka shtuar llogarinë në lekë në vlerën 362.930 lekë dhe në dollar në vlerën 4034 dollarë.
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, në kursimet e tij ka të deklaruara vetëm 300 mijë lekë dhe 3000 euro. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka vetëm 250 mijë lekë.

Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ka të pakësuara nga llogaria e tij bankare 161.808 lekë, ndërsa bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, ka të shtuar vetëm 34.727 lekë dhe 1388 euro. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka mbyllur overdraftin me vlerë 90.000 euro dhe ka të pakësuara në llogarinë e saj bankare 1.400.000 lekë. Të ardhurat nga paga e bashkëshortit është 52 mijë euro.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›