E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët marrin rroga edhe pse nuk punojnë

Shkup-Parlamenti i Maqedonisë, që nga fillimi i fushatës e deri në përfundimin e saj nuk do të mbajë asnjë seancë, por të zgjedhurit e popullit megjithatë do të marrin paga të plota pa iu hequr asnjë përqindje. Që nga fillimi i fushatës zgjedhore më 2 mars Parlamenti ka pushuar tërësisht aktivitetin e tij në përjashtim të disa komisioneve parlamentare që kanë ngelur pa u mbajtur në periudhën e kaluar.

Edhe pse deputetët tashmë janë në valën më të madhe të fushatës zgjedhore me partitë e tyre ata në fund të muajit do të marrin rroga të plota. Zëdhënësi i shtëpisë ligjvënëse Todor Pendarov thotë se nuk ka bazë që deputetëve t’iu shkurtohet rroga meqë Parlamenti ka pasur disa komisione.

“Është e vërtetë se në Parlament s’ka pasur seanca dhe s’do të ketë deri në fund të fushatës mirëpo këtyre ditëve janë mbajtur disa komisione parlamentare. Nuk ka bazë që deputetëve t’iu hiqet pjesë nga rroga”, thekson Pendarov.

Parlamenti qysh para fillimit të fushatës nuk ka mbajtur seancë ndërsa deputetët që nga ajo kohë filluan aktivitetet në terren për t’u përgatitur për fillimin e fushatës parazgjedhore. Disa prej partive më të mëdha politike në vend nxorën deputetë nga radhët e tyre si kandidatë për kryetarë komunash, ndërsa njëri edhe kandidat për kryetar shteti.

Kështu Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) deputetin e saj Blerim Bexheti e nxori kandidat për kryetarë të komunës së Sarajit, VMRO-DPMNE-ja do të kërkojë fitore në Strumicë me koordinatoren e grupit parlamentar, Sillvana Boneva, kurse në Kumanovë me deputetit Petar Pop Arsov. Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) do të tentojë sërish të fitojë në Strumicë me u.d.

kryetarin e partisë Zoran Zaev, Partia e Re Social Demokrate (PRSD) ka kandiduar liderin e saj për kreun e qytetin të Shkupit, Tito Petkovski, ndërsa Demokracia e Re liderin e saj Imer Selmani për kryetar shteti. Deputeti dhe kryetari i Partisë për Ardhmëri Evropiane (PAE) Fijat Canoski është kandidat për kryetarë të komunës së Strugës. lajm/start

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›