E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët “memecë” dhe ata aktivë

Kjo listë kryesohet nga Kreshnik Çipi dhe pas tij vijnë Bedri Hoxha, Ndue Paluca, Paulin Sterkaj e Tom Doshi

Lëvizja “Mjaft!” ka kryer klasifikimin e deputetëve të cilët rezultojnë të jenë më pak aktiv në debatet parlamentare. Kjo listë kryesohet nga Kreshnik Çipi dhe pas tij vijnë Bedri Hoxha, Ndue Paluca, Paulin Sterkaj e Tom Doshi. Në të njëjtën kategori rezultojnë nga të dhënat e raportit “unëvotoj” edhe emrat e Lefter Kokës, Sadri Abazit, Astrit Becit, Marko Bellos, Bashkim Finos, Artan Gacit dhe Hazir Gashit. Në krahun tjetër, deputeti më aktiv në debatet e Kuvendit është Ministri i Financave Ridvan Bode. Pas tij vjen nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erjon Braçe. Në të njëjtin klasifikim janë edhe emrat e deputetëve: Edmond Spaho, Sali Berisha, Gramoz Ruçi; Sajmir Tahiri; Jemin Gjana; Osman Metalla; Dashnor Sula; Sokol Olldashi; Sherefedin Shehu; Mesila Doda; Tritan Shehu; Edi Paloka dhe Vangjel Dule. Në studimin e kryer nga “Mjaft!” për sesionin e mbyllur, shqetësues është mosrespektimi i Rregullores së Kuvendit, si kuadri ligjor rregullator, brenda së cilit duhet të funksionojë ky institucion. Gjatë dy sesioneve parlamentare, rezulton të jenë miratuar në kushtet e dhunimit të nenit 57 mbi votimin në seancat parlamentare, 16 nisma ligjore, të cilat së pari, duhet të ishin shpallur të pavlefshme dhe së dyti, ndaj deputetëve që kanë shkelur këtë përcaktim imperativ të Rregullores duhet të ishte dhënë masë disiplinore. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe nuk kanë munguar rastet e shkeljes së Rregullores, sa i takon respektimit të etikës parlamentare, ç’ka përcaktohet në nenin 62 të saj. Janë të shumta rastet kur fjalori i përdorur nga përfaqësuesit e qytetarëve shqiptarë mund të konsiderohet absolutisht i papërshtatshëm për një institucion publik. Ajo ç’ka bie në sy, edhe në rastin e shkeljes së këtij përcaktimi të Rregullores, është mungesa e dhënies së masave disiplinore. Gjatë këtyre dy sesioneve parlamentare, thuhet në raport, është vërejtur shkelja flagrante e nenit 45 të Rregullores së Kuvendit, një përcaktim procedural që saktëson se “Para fillimit të rendit të ditës çdo deputet mund të diskutojë për çështje të ndryshme që ai i konsideron se duhen bërë publike në seancë plenare, brenda një kohe prej 5 minutash. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, duke dalë plotësisht nga kompetencat që i atribuohen nga neni 7, pika 2 e Rregullores, si drejtuese dhe moderatore e debatit parlamentar, është pozicionuar politikisht duke u prerë fjalën deputetëve të opozitës para përfundimit të minutazhit të përcaktuar”. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe janë konstatuar shkelje të pikës 1 dhe 2 të nenit 34, i cili përcakton vlefshmërinë e mbledhjeve të komisioneve të përhershme parlamentare. Në raport figurojnë të paktën 20 raste, kur mbledhjet e komisioneve janë zhvilluar në mungesë të kuorumit të nevojshëm prej më shumë se gjysmës së anëtarëve. Brenda këtij konteksti duhet theksuar dhe fakti që në disa raste procesverbalet e mbledhjeve të komisioneve, të publikuara në faqen zyrtare të internetit të Kuvendit të Shqipërisë, nuk paraqesin prezencën e saktë.

Deputetët që kanë qenë më pak aktiv në debatet parlamentare

1 Kreshnik Çipi

2 Bedri Hoxha

3 Ndue Paluca

4 Paulin Sterkaj

5 Tom Doshi

6 Lefter Koka

7 Sadri Abazi

8 Astrit Beci

9 Marko Bello

10 Bashkim Fino

11 Artan Gaci

12 Hazir Gashi

13 Fidel Ylli

14 Arben Isaraj

Deputetët që kanë marrë pjesë më shumë në debatet parlamentare

1 Ridvan Bode

2 Erion Braçe

3 Edmond Spaho

4 Sali Berisha

5 Gramoz Ruçi

6 Sajmir Tahiri

7 Jemin Gjana

8 Osman Metalla

9 Dashnor Sula

10 Sokol Olldashi

11 Sherefedin Shehu

12 Mesila Doda

13 Tritan Shehu

14 Edi Paloka

15 Vangjel Dule

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›