Meta në Kosovë: Raporti i Marty-t, frymëzim antishqiptar
Frymëzim antishqiptar. Kështu e ka quajtur zv. kryeministri Ilir Meta raportin e deputetit zviceran Dick Marty, i cili flet për ekzistencën e trafikut të organeve dhe lëndëve narkotike në Kosovë, përgjatë dhe pas luftës. Deklaratën Meta e ka bërë pikërisht në Kosovë, gjatë një vizite në komunën e Gjakovës, ku dhe mori pjesë në një sërë aktivitetesh. “Absolutisht, raporti i Dick Marty-t është një frymëzim antishqiptar, për llogari të atyre qarqeve që asnjëherë nuk janë pajtuar me pavarësinë e Kosovës, që nuk janë pajtuar me integrimin e Kosovës dhe Shqipërisë në rrjedhat euroatlantike”, - tha Meta për mediat pas takimit që zhvilloi me kreun e Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj. Më tej, ai ka theksuar se qeveria shqiptare hedh poshtë përfundimet e nxjerra nga Marty në këtë raport, si të pavërteta dhe të pabazuara në fakte. “Padyshim ne hedhim poshtë me përbuzje këtë raport, të bazuar mbi halucinacione, trillime dhe fiksime aspak të faktuara. Nuk është hera e parë që qarqe të tilla nacionaliste, ekstremiste në Serbi frymëzojnë sulme të tilla ndaj Kosovës e Shqipërisë. Janë ato qarqe që janë të lidhura me përgjegjësinë e atij gjenocidi që ndodhi në Kosovë, në Bosnjë, në gjithë Ballkanin, pra janë pasuesit e politikës së Sllobodan Millosheviçit”, - u shpreh Meta. Sipas tij, raporti në fjalë është edhe kundër luftës së drejtë që bëri populli i Kosovës për lirinë e tij dhe njëkohësisht kundër afirmimit të Shqipërisë si një vend plotësisht i devotshëm i komunitetit euroatlantik, që plotëson të gjitha detyrimet e veta. “Ato qarqe antishqiptare dhe antiperëndimore kërkojnë të dëmtojnë një nga arritjet më të rëndësishme të dekadës së fundit, që është një Kosovë e lirë dhe demokratike; një Kosovë që është një shtet i lirë, që po tregon se funksionon përkundër atij gjenocidi të pashembullt që ndodhi këtu para 10 vjetëve”, tha Meta duke siguruar se Shqipëria do nisë një fushatë për çmontimin e këtij raporti.