Shkelja e rregullores, fyerje e sharje mes ligjvënësve
Një nga nenet më të shkelura në punimet e Kuvendit të Shqipërisë është mungesa e etikës në komunikim. Konkretisht, në seancën parlamentare të datës 23.12.2009, dy deputetët Dashamir Tahiri i PDU-së dhe Vangjel Dule i PBDNJ-së, u përfshinë në replika të forta dhe fyerje midis tyre. Gjatë këtyre replikave, deputeti Dashamir Tahiri është ngritur i revoltuar nga karrigia e tij, duke tentuar konfrontimin fizik me deputetin Dule. Seanca parlamentare e datës 24.05.2010, gjatë fjalës së deputetit Gent Strazimiri, i cili deklaroi se “dokumenti i marrëveshjes së Strasburgut nuk duhet të jetë si mesazhet që i çoheshin familjarëve nga tendat e grevës”. Shprehje kjo që provokoi konflikt mes tij dhe deputetit opozitar, Tom Doshi, i cili u drejtua drejt foltores duke fyer rëndë z. Strazimiri. Konflikti më pas degjeneroi në fyerje personale, mes dy deputetëve. Kryetarja e kuvendit u detyrua te ndërpresë seancën për rreth 30 minuta. Seanca parlamentare e datës 10.6.2010, gjatë të cilës deputeti Flamur Noka përdori një gjuhë jo të denjë dhe ofenduese, apo jo parlamentare, siç cilësohet në nenin 62 të Rregullores si “çunat bastardë të bllokut”, ”Vampiri Alia”, “mostra Alia”, ”gjakpirësi Alia”, apo duke iu drejtuar deputetëve opozitar “ju keni një shofer të çmendur”. Asnjë masë disiplinore nuk u dha për deputetin Noka nga drejtuesja e Seancës. Në seancën parlamentare të datës 24.06.2010, gjatë të cilës deputeti Edi Paloka shprehet se “ ..urimi i Ramës, pasi komisioni kishte marrë vendimin është si puna e vendosjes së prezervativit mbasi ke bërë seks”. Këtij ofendimi i përgjigjet deputeti Dokle gjatë fjalës së tij, po me të njëjtën gjuhë “Paloka, me diskutimin tënd u bërë kondom për Kryeministrin”. Po gjatë kësaj seance, pati rrëmujë në sallën e Kuvendit, që u shoqërua me ndërprerje të seancës për disa minuta, për shkak të kërcënimit që deputeti i PDU-së, Dashamir Tahiri, i bëri deputetit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, pasi ky i fundit nuk u ngrit në këmbë për t’u bërë homazh çamëve të vrarë në masakrën e qershorit të vitit 1944: “Ti nuk je gjë tjetër veçse një këlysh i Zervës në Parlamentin Shqiptar. Por do të mësoj unë si mbahet zia!” - u shpreh deputeti Tahiri. Në seancën parlamentare të datës 15.07.2010, gjatë të cilës deputeti Dritan Prifti, në mbrojtje të deklaratës së pasurisë së tij, aludon mbi atë të kryetarit të opozitës Rama, duke u shprehur: “Unë po ju them që 3 mijë euro bën vetëm substanca që ai thith me hundë çdo ditë” si dhe “...ai njeri nuk thotë nëse është burrë ose grua!”, duke cenuar jetën privatë të këtij të fundit.