Deputetët nanoistë, drejt grupit të ri parlamentar
• Një grup deputetësh socialistë pritet të krijojnë një grup të ri parlamentar.Pesë deputetët e përjashtuar nga Partia Socialiste pas votimit të Bamir Topit si president, por dhe disa deputetë të tjerë, që aktualisht vazhdojnë të qëndrojnë në grupin parlamentar socialist, pritet të krijojnë një grup të ri parlamentar, i cili do të jetë prologu i krijimit të një formacioni të ri politik. Ndërkaq kreu socialist ka vendosur që mbledhja e së shtunës e Asamblesë Kombëtare të zhvillohet në qytetin e Shkodrës, pas dy mbledhjeve të kryesisë socialiste të zhvilluara në qytetin e Burrelit dhe në Golem të Lushnjës. Por burime pranë deputetëve që kanë hartuar promemorien drejtuar kryesisë dhe Asamblesë Kombëtare, shprehen se qëndrimi ndaj kërkesave të tyre do të kondicionojë veprimin e tyre të mëtejshëm. Numri i deputetëve që do të përfshihen në grupin e ri parlamentar, i cili do të regjistrohet menjëherë me nisjen e sesionit të ri parlamentar, pas festave të fundvitit pritet të jetë mbi dhjetë. Kjo do të bëjë që grupi parlamentar socialist të tkurret akoma më shumë. Në promemorien e tij, ish-kryetari i grupit parlamentar socialist, Ben Blushi, drejtuar mbledhjes së fundit të Asamblesë Kombëtare të datës 1 shtator, synonte pikërisht ruajtjen e unitetit brenda këtij grupi, unitet që kishte nisur të krisej pas përjashtimit të gjashtë deputetëve, por dhe politikave përjashtuese të kryetarit Rama. Madje, ka qenë kjo një nga garancitë që Blushit nuk iu dha-dhe që e detyruan të japë dorëheqje nga drejtimi i grupit socialist. Por reagimet e cunguara dhe mungesa e dëshirës për të mbajtur një qëndrim ndaj promemories së një grupi deputetësh, tregojnë se nuk ka gjasa që divergjencat brenda grupit parlamentar socialist të mos gjejnë zgjidhje. Kjo do të çojë në mënyrë të pashmangshme në shkëputjen e një pjese deputetësh nga grupi parlamentar socialist. Në një promemorie drejtuar kryesisë dhe Asamblesë Kombëtare, deputetët mbështetës të ish-kryetarit Nano dhe përfaqësues të Lëvizjes për Politikë Institucionale, kërkojnë rikthimin e legjitimitetit të institucioneve të PS. "Rishikim të statutit, të mendimit ndryshe, rikthim të të gjitha vendimeve të kongresit të fundit të PS, korrigjim organizativ në të gjitha strukturat ku ka pasur deformim të zgjedhjeve në parti", janë disa nga kërkesat që deputetët i kërkojnë forumeve vendimmarrëse përmes promemories së tyre.Isaraj: Në PS ka mendim ndryshe"Kjo politikë e re dhe ky mendim ndryshe nuk përjashton dhe nuk ka kufizuar asnjëherë dhe në asnjë rast atë mendim ndryshe që shprehet nga anëtarët e tjerë të forumeve të PS-së, mendime që janë votuar në këto forume dhe nëse këto mendime janë në minorancë pas këtij votimi, atëherë janë të detyruar të respektojnë vendimin në maxhorancë të PS-së. Të gjitha dokumentet në PS, në ndryshim nga dokumentacioni i partive të tjera që sot veprojnë në Shqipëri, besoj se janë të shkruara dhe tregojnë se ne kemi qenë të hapur dhe nuk kemi asnjë pengesë për mendimin ndryshe", tha Isaraj.