Zyrtarizohet shpërblimi për pensionistët
• Me rastin e festave të fundvitit pensionistët do të mund të marrin 5 mijë lekë shpërblim. Vendimi është zyrtarizuar dje në mbledhjen e qeverisë.Pas kësaj, ISSH-ja do të nisë punën për të përcaktuar grafikun e ndarjes së këtij shpërblimi, i cili do të nisë të ndahet 10-ditëshin e fundit të këtij muaji. Ky është viti i dytë radhazi që pensionistët përfitojnë 5 mijë lekë shtesë me rastin e festave të fundvitit. Kështu pensionistët së bashku me pensionin e tyre do të mund të marrin edhe 5 mijë lekëshin shtesë. Nga vendim i qeverisë përfitojnë të gjithë pensionistët si ata të fshatit dhe ata të qytetit. Por sipas burimeve nga ISSH-ja, edhe nëse pensionistët nuk do të arrijnë të marrin shpërblimin brenda këtij muaji mund ta marrin në janar të vitit të ardhshëm, së bashku me pensionin e tyre. Por nga vendimi nuk janë parashikuar që të përfitojnë personat që marrin pension për vjetërsi shërbimi, si ish-ushtarakët dhe ish-punonjës të Policisë së Shtetit, që aktualisht janë 10.719 persona, si dhe personat që marrin pension suplementar shtetëror si punonjës të shtetit dhe që nuk kanë plotësuar kushtet për të përfituar pension pleqërie. Ndërkohë vlen të theksohet fakti se masa e shpërblimit prej 5 mijë lekësh për pensionet e fshatit përfaqëson rreth 50 për qind të shumës minimale të të ardhurave mujore, ndërsa për pensionistët e fshatit kjo shumë përfaqëson 92.4 për qind të të ardhurave mujore të pensionistit që merr pension të plotë.