Meta: Të protestojmë kundër varfërisë dhe korrupsionit
• Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka zhvilluar dje takime në Jug të vendit, në Gjirokastër dhe Sarandë me strukturat dhe intelektualët e këtyre qyteteve.Meta i ka bërë thirrje qytetarëve të dalin në protesta. "Eshtë koha për të protestuar kundër varfërisë së madhe, kundër errësirës dhe korrupsionit të madh që shkaktoi kjo qeveri e papërgjegjshme", tha Meta. Gjatë qëndrimit të tij në Gjirokastër, kryetari i LSI zhvilloi një takim me intelektualë të qytetit dhe me të rinj të Gjirokastrës. Në takimin me intelektualët, Meta u shpreh se vlerat e Gjirokastrës duhet të ruhen, të evidentohen dhe të reklamohen edhe më shumë. Meta deklaroi se duhet krijuar një aleancë qytetare për të mbrojtur vlerat e Gjirokastrës. Pas takimit me intelektualët e qytetit, Meta vizitoi zonën historike të Gjirokastrës. Ndërkaq, Meta zhvilloi dhe një takim me anëtarët e LRI-së së Gjirokastrës.Turizmi ka qenë kryetema e bisedës që kryetari i LSI, Ilir Meta, ka zhvilluar me qindra qytetarë të Sarandës në kinoteatrin e qytetit. "Turistët vijnë jo për t'u lodhur e për t'u trembur nga deformimet që i janë bërë qytetit", u shpreh Meta. Kreu i LSI-së pranoi se dëmtime dhe betonime jo të pakta i janë shkaktuar qytetit, të cilësuar si një nga portat e turizmit shqiptar. Por, duke mos e ndarë Sarandën nga pjesa tjetër e vendit, Meta është ndalur te varfëria ekstreme që përjeton sot Shqipëria, që nga jugu në veri, duke argumentuar se kjo vjen nga përqendrimi i investimeve vetëm në disa pika dhe se korrupsioni është më i madh se më parë.