E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët nisin pushimet para kohe

Kuvendi vijoi dje punimet në seancën e radhës, por fatkeqësisht ai mbylli punën më shpejt se ç’duhej, pasi mungonte gjysma e nevojshme e deputetëve për të bërë një seancë plenare normale. Në seancë nuk ishin më shumë se 50 deputetë nga 140 deputetë gjithsej, ndërkohë që mungonin edhe të gjithë ministrat e kabinetit, duke bërë që seanca të shkojë dëm edhe pse në axhendë kishte afërsisht 6 projektligje për t’u miratuar. Kësaj iu shtua dhe bojkoti i atyre deputetëve të opozitës që kishin ardhur në sallë për shkak të vendimit politik për të bojkotuar Kuvendin deri në miratimin e Kodit Zgjedhor. Ndonëse duhen edhe dy javë që deputetët të marrin rreth 1 muaj pushime dimërore, ata i kanë nisur para kohe këto pushime, edhe pse në axhendën e Kuvendit këtë fundviti janë për t’u miratuar ligje shumë të rëndësishme. Duket se ata të parët po e ndiejnë aromaën e festave të fundvitit, e cila tashmë ndihet nga zbukurimet nëpër rrugët e Tiranës. Në datën 29 dhjetor, deputetët do të fillojnë pushimet zyrtare dhe do të përfitojnë për t’u çlodhur rreh 30 ditë për të filluar punën në ditët e para të shkurtit. Nën drejtimin e zëvendëskryetarit, Neritan Ceka, për shkak se kryeparlamentarja Topalli ndodhej në Francë, në seancë u realizua vetëm diskutimi i lirë prej 60 minutash. Ceka u duk i pafuqishëm, ndonëse me dëshirën e madhe të tij për të qëndruar sa më shumë në karrigen e kryetarit të Kuvendit, të vazhdojë më tej seancën, pasi momenti i votimit kishte një numër minimal deputetësh në sallë. Nënkryetari Ceka u detyrua të shtyje seancën si dhe miratimin e projektligjeve që ishin në axhendën e djeshme. Më pas, opozita braktisi seancën duke lënë në sallë vetëm pak dhjetëra deputetë të mazhorancës të cilët diskutuan në parim disa projektligje. Në Kuvend kishin mbërritur 4 marrëveshje për t’u ratifikuar, por edhe dy projektligje të rëndësishme, si projektligji “Për ndihmën juridike” dhe projektligji “Kodi ajror i Republikës së Shqipërisë”. Le të shpresojmë se ky do të jetë një rast i veçuar e të shohim një Parlament funksional javën që vjen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›