E Diel, 1 Nëntor 2026

(Keq)kuptimi ndërkombëtar i realitetit shqiptar

Ligji për pastërtinë e figurave të zyrtarëve që synon largimin nga politika dhe drejtimi i shtetit shqiptar të autorëve të krimeve të komunizmit, ka tërhequr në debat përveç faktorëve të brendshëm, edhe përfaqësitë diplomatike. Më saktë, ka dy deklarata të ambasadorëve të SHBA-së dhe OSBE-së që kanë theksuar “kujdesin” me ligjin në fjalë, gjë që po trajtohet si presion ndërkombëtar nga opozita dhe mediat pranë saj. Në fakt, mesazhet diplomatike që po përdoren politikisht ose janë të pasqaruara mirë ose kanë një mospërputhje me realitetin shqiptar dhe sidomos me atë që shqiptarët e painkriminuar presin nga këto “burime” diplomatike. Deklaratat, ndoshta të interpretuara keq edhe nga media, kanë befasuar pjesën më properëndimore të shqiptarëve që kanë pritur një reagim të kundërt diplomatik ndaj këtij ligji së te domosdoshëm, aq edhe të vonuar. Ligji që ka ardhur kryesisht si pjesë e rezolutës së KE-së për krimet e komunizmit, ka mangësi të mëdha që lidhen kryesisht me minimizimin e kategorive të autorëve të krimeve që prek apo kufizon, gjë që ka ngjallur reagim të drejtë nga viktimat e diktaturës. Por megjithatë, ai është shumë më mirë sesa hiçi. Nga diplomatët, sidomos nga ata amerikanë dhe evropianë, është pritur me kohë të kërkojnë nga qeveria dhe Parlamenti i Shqipërisë ndëshkimin e krimeve të komunizmit, gjë që fatkeqësisht ka ndodhur si pasojë e rezolutës së KE-së. Së pari, duam të biem dakord sidomos me diplomatët, që kemi të bëjmë me krime, masakra e gjenocid në një terrorizëm politik që zgjati rreth 50 vjet. Krimi, sidomos ai shtetëror, duhet ndëshkuar dhe këtu sipas të gjitha teorive e praktikave ligjore ndërkombëtare ndëshkimi shkon tek autorët e tij. Kjo është lufta jonë kundër terrorizmit. Këtë duket se ka parasysh edhe ligji shqiptar pavarësisht se “ndëshkimi” që ai parashikon nuk përkon me përmasat e asaj për të cilën akuzohen autorët . Ajo që nuk pranohet dot nga mesazhet që vijnë nga aleatët euroatlantikë është padrejtësia dhe sidomos dy standardet e aplikimit të demokracisë dhe shtetit ligjor. Po flasim për krime, gjenocid dhe terrorizëm politik për të cilat besoj se e gjithë bota e qytetëruar ka të njëjtat standarde perceptimi e qëndrimi politik e ligjor. Për ta bërë më të kuptueshme, po e krahasoj Shqipërinë diktatoriale me Irakun nën sundimin e Sadam Hyseinit. I njëjti realitet, me përjashtim që Shqipëria vuajti rreth 20 vjet më shumë se Iraku. Vrasje të kundërshtarëve politikë, masakra dhe gjenocid për shkak të origjinës shoqërore apo bindjeve politike, por fatkeqësisht jo i njëjti qëndrim. Krerët e diktaturës irakiane përfunduan në litar, ata të Shqipërisë gëzojnë lirinë, madje dominojnë jetën politike dhe institucionet shtetërore. Numri i viktimave të terrorizmit komunist shqiptar është disa herë më i madh se ato të sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA. Por ndërsa autorët e 11 shtatorit janë vrarë apo ndiqen si qen maleve dhe shkretëtirave, këta të Shqipërisë janë ende në pushtet. Nëse kjo që ndodhi në Shqipëri, do të kishte ndodhur në SHBA apo BE, jam i sigurt që autorët e tyre do të ishin me të drejtë në Guantanamo ose edhe me keq. E kam pothuaj të pamundur ta kuptoj me cilat nene të Kushtetutës bie ndesh lufta kundër terrorizmit !

Mbase rastësisht, por ilustrimi me shembuj që Kryeministri Berisha u bëri krimeve të komunizmit përkon me një nga rastet e shumta që do t’i bënin ambasadorët, sidomos atë të SHBA-së, të ishin më të kujdesshëm në reagim. Xhelal Koprencka, nipi i njërit prej firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë, u pushkatua vetëm se i kërkoi diktatorit të hapte vendin me SHBA-në si vendi model i lirisë dhe demokracisë. Ëndrra e tij tani është realizuar dhe ju jeni këtu ambasador edhe për faktin se ai dhe qindra të tjerë lanë kockat për faktin e vetëm se deshën dhe respektuan SHBA-në dhe vlerat e saj. Mirëpo siç edhe mund ta dini, vrasësi i tij - që ka vetëm pak muaj që është dekoruar, veprim që është objekt i këtij ligji - mund të përfitojë nga qëndrimi diplomatik i z. Uidhers, gjë që çon në një situatë aspak të këndshme perceptimin e publikut shqiptar për qëndrimin perëndimor ndaj komunizmit dhe krimeve te tij. Koprencka nuk është i vetmi, lexoni aktakuzat politike të diktaturës, pjesa dërrmuese e të cilave i cilëson të ndëshkuarit si “agjentë” apo dashamirës të SHBA-së dhe Perëndimit. U zgjata pak tek ky argument për të shpjeguar se sa të ndjeshme janë keqkuptimet ndërkombëtare, sidomos ato amerikane, në çështje kaq të shenjta siç është ndëshkimi i krimit komunist.

Jo vetëm nga sondazhet, por edhe nga veprime më publike, siç ishte vizita e Presidentit Bush në Shqipëri, ne shqiptaret jemi populli dhe kombi me proamerikan në botë. Një miqësi arsyet e së cilës shume nga të huajt nuk arrijnë t’i kuptojnë dot. Ka shumë arsye, por më e qëndrueshmja, më legjitimja, me e shenjta është fakti se në themele të kësaj marrëdhënieje, të kësaj miqësie qëndrojnë si kurbane njerëzore Koprencka dhe mijëra të tjerë që u masakruan nga krimi komunist. Këta janë shenjtorët e lidhjes shpirtërore të shqiptarëve me Amerikën. Në këto kushte çdo amerikan, në mënyrë të veçantë përfaqësuesit zyrtarë të SHBA-së, janë të detyruar të jenë me ta. Si përfundim, këmbëngul në keqkuptimin e reagimeve të ambasadorëve, pasi as që nuk mund të mendohet që SHBA-ja dhe OSBE-ja të mbrojnë krimin komunist. Fakti që komunistët, autorë të krimeve apo trashëgimtarët politik e gjenetik të tyre janë dominues, në pushtet dhe sidomos në media, detyron një prononcim më të qartë, ndoshta përtej gjuhës diplomatike për të mos lënë asnjë mundësi keqkuptimi apo keqinterpretimi siç po ndodh aktualisht. Mendoj se riformulimi i deklaratave do të qartësonte apo edhe të theksonte qëndrimin zyrtar brenda aksiomës që SHBA-ja dhe OSBE-ja, në asnjë rrethanë, për asnjë arsye nuk mund të pajtohen me terrorizmin, sidomos atë komunist.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›