E Shtunë, 31 Tetor 2026

Petro Koçi: Gjinushi, aleati humbës

Në kulmin e ngërçit dhe mungesës së komunikimit, e majta i është rikthyer sërish dje gjetjes së fajtorëve për humbjen e zgjedhjeve të 2005-ës. Skënder Gjinushi dhe Petro Koçi kanë replikuar në distancë. Kreu i PSD-së akuzoi dje LSI-në e cila me 8% që arriti të merrte në zgjedhjet e 2005-s ishte një ndër faktorët e humbjes së këtyre zgjedhjeve nga e majta. Ndërsa kryetari i PS’91, Petro Koçi, akuzoi Gjinushin, si një tjetër element që ndikoi në humbjen e zgjedhjeve, edhe pse ishte në koalicion me Partinë Socialiste në atë kohë. Kreu i PSD-së e konsideroi diversion deklaratën e Kryeministrit për përfshirjen e LSI-së në administrimin e zgjedhjeve, ndërsa sugjeroi që mund t’ia japë ai një anëtar Metës, meqë ka dy të tillë në KQZ. “Për sa i takon diversionit të Berishës për anëtarë komisioni, i kujtojmë se 8% i LSI-së në 2005-ën ka qenë një votë që solli Berishën në pushtet, kështu që është detyrimi i tij ta shpërblejë këtë votë, duke dhënë një anëtar komisioni nga PD-ja, meqenëse ajo ka 2. I kujtojmë Berishës se diversioni i 2005-ës nuk ka për të ecur përsëri në 2009-ën, pra humbja e tij në çdo rast është e thellë dhe e sigurt”, - tha Gjinushi. Ndërsa Koçi i kujton Gjinushit humbjen e 11 zonave elektorale nga aleatët zyrtarë të PS-së në ato zgjedhje. “PS’91 ndërkohë qartëson se faktorët politikë që çuan në humbjen e socialistëve në 3 korrik 2005 nuk janë vetëm në LSI, por edhe një pjesë e aleatëve zyrtare të PSSH-së, të cilët shkaktuan humbje në 11 zona elektorale. Ndërsa autorët nga brenda PS-së të humbjes, tashmë janë shpërblyer me poste qendrore në forumet partiake. PS’91, megjithatë fton kolegët e PS-së të reflektojnë me pjekuri në favor të bashkimit dhe të së drejtës dhe jo përçarjes së mëtejshme të së majtës”, - u shpreh Koçi.

Njëkohësisht, Gjinushi u rreshtua dje pro Partisë Socialiste për Kodin Zgjedhor. Kreu i PSD-së, kërkoi që Kodi të vijë me urgjencë në Kuvend, sepse në këtë mënyrë po vihen në rrezik zgjedhjet. “Ne si PSD kërkojmë publikisht dhe urgjentisht që të mos bllokohet më tej Kodi Zgjedhor, të votohet menjëherë ndryshimi i kërkuar nga Presidenti i Republikës për të zhbllokuar procesin dhe për të mundësuar përgatitjen në kohë të zgjedhjeve. Që sot vihen në rrezik standardet e zgjedhjeve në 2009-ën, kusht ky i domosdoshëm për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, - deklaroi ai. Ndërsa Koçi nga ana e tij tha se Rama ka shansin të tregojë me vepra se është për bashkimin e opozitës, duke pranuar rekomandimin e OSBE/ODHIR-it për gjithëpërfshirje në administrimin e zgjedhjeve. “Pingpongu Rama-Berisha nuk mund të na shitet si boks politik”, - deklaroi Koçi,.

Sekretarja e LSI-së, takim me Ollbrajt

Sekretarja e marrëdhënieve ndërkombëtare të LSI-së, znj. Brunilda Paskali, gjatë një vizite të zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u takua me personalitete të ndryshme të politikës. Sekretarja ndërkombëtare e LSI-së, Paskali, ka zhvilluar një takim me ish-Sekretaren amerikane të shtetit, Medllin Ollbrajt. Në bisedën e zhvilluar midis znj. Ollbrajt dhe znj. Paskali u theksua nevoja e forcimit të vazhdueshëm të demokracisë në Shqipëri dhe domosdoshmëria e rritjes së përfaqësimit të grave në politikë. Zyra e NDI-së në Shqipëri po jep një kontribut të madh në këtë drejtim nëpërmjet programeve të saj për fuqizimin e demokracisë dhe të rolit të gruas në politikë. Znj. Paskali u takua edhe me z. Kenet Uollak, president i NDI-së dhe përfaqësues të tjerë të Institutit Demokratik Amerikan. Këta takime sekretarja ndërkombëtare e LSI-së, Paskali, i zhvilloi në Uashington DC, gjatë një aktiviteti vjetor për dhënien e dy çmimeve për demokracinë 2008: W. Averell Harriman dhe Medllin Ollbrajt. Aktiviteti drejtohej nga znj. Ollbrajt, ish-Sekretare e Shtetit dhe kryetare e NDI-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›